Linda Gusia në Shkolla Verore si Shkollë 2018
24 korrik, 2018, 19:00
Vendi: Klubi i Boksit
Shkolla Verore si Shkollë
16 korrik – 2 gusht, 2018
Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtina ka kënaqësinë të prezentoj “Përfaqësimi dhe Kriza e Vizibilitetit – nga Përkujtimi në Film” nga Linda Gusia, pjesë e Programit Publik të Shkolla Verore si Shkollë 2018.
Ky diskutim shtjellon lidhjen komplekse ndërmjet fshehjes dhe bërjes së dukshme të dhunës seksuale gjatë luftës. Duke ekzaminuar proceset e përfaqësimit në praktikat e memorializimit, përkujtimit, dhe të kinematografisë së prodhuar në Kosovë. Diskursi publik i ndërtuar rreth çështjes së të mbijetuarve të dhunës seksuale lidhet me simbolizmin nacionalist të konstruktit të grave si shtetndërtuese dhe me bartjen e kuptimit të përgjithshëm të dhunës seksuale që zhvillohet rreth konceptit të nderit, stigmës shoqërore dhe turpit. Hapësirat e reja shfaqëse ndjekin skriptën e njejtë patriarkale dhe nacionaliste që çojnë në pytjet themelore: a kanë nevojë të mbijetuarat të qëndrojnë të heshtura për t’u bërë të dukshme në kinematografinë dhe shoqërinë që dëshiron të rrëfejë storiet e grave por të heshtë zërat e tyre.
Linda Gusia (1978, Prishtinë) jep mësim në Universitetin e Prishtinës, Departamenti i Sociologjisë. Ajo mban titullin MA nga Univesiteti i Nju Jorkut (2003) dhe PhD nga Universiteti i Prishtinës (2016). Për momentin ajo është anëtare e Këshillit Udhëheqës në Programi Universitar për Studime dhe Hulumtime Gjinore në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 2014 ajo ka qenë bursiste në Institutin për Hulumtim Gjinorë në Dartmouth College. Fusha e saj e hulumtimit përfshin gjininë, seksualitetin, nacionalizmin, kujtesën kolektive në kontekst të konfliktit dhe luftës, hapësirave publike. Si pjesë e tezës së saj të doktoraturës ajo merr në pyetje dykuptimësitë e nacionalizmit dhe gjinisë duke iu qasur nëpërmjet kënd-vështrimit të lëvizjes së grave në Kosovë dhe dhunës seksuale si strategji lufte. Publikimet e saj të fundit përfshijnë: Sociología pública y global de los movimientos sociales Breno Bringel y Geoffrey Pleyers (Editores) Capitullo 14 “Te estamos viendo”: protestas y violencia en Kosovo, Michael D. Kennedy dhe Linda Gusia, We are seeing you -Open Movement, Michael D. Kennedy dhe Linda Gusia (https://www.opendemocracy.net/openmovements); “Our men will not have amnesia”: Civic Engagement, Emancipation, and Gendered Public in Kosovo” (bashkë-autore me Nita Luci), në “Civic and Uncivic Values in Kosova: Value Transformation, Education, and Media”, e redaktuar nga: Sabrina P. Ramet, Albert Simkus, dhe Ola Listhaug, CEU Press, 2015; “Heshtja përkundër njohjes”, Instituti për Studime Sociale dhe Humanistike.