• Adrian Paci: The Guardians, 2015, installation view, HD video, color, sound, 6:22 min.
Adrian Paci: The Guardians

Adrian Paci: The Guardians

18 Nëntor 2015 - 22 Janar 2016
Hapja e ekspozitës: 18 Nëntor 2015, 20:00

Vendngjarjet:
Stacion - Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë
Rr. Zija Prishtina p.n.
10000 Prishtinë
Republika e Kosovës

Orari i punës
E Martë - e Premtë, 11:00 - 16:00
E Shtunë, 11:00 - 14:00

Klubi i Boksit
Rr. Mark Isaku p.n.
10000 Prishtinë
Republika e Kosovës

Orari i punës
E Mërkurë, 16:00 - 18:00

Stacion - Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë, ka kënaqësinë të prezantojë “The Guardians”, ekspozitën personale të artistit shqiptar me renome ndërkombëtare Adrian Paci.

Ekspozita që është pjesë e programit vjetor të Stacion - Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë, e merr titullin prej filmit të fundit të Pacit “The Guardians” (2015). “The Guardians” e vendosur në kohën, kontekstin dhe vendndodhjet e tashme, aty ku shfaqet ekspozita, gërshetohet me të gjitha këto në mënyrë shumë shtresore përmbajtësisht dhe me kuptime simbolike.

“The Guardians” është reflektim poetik mbi marrëdhëniet ndërmjet fëmijërisë dhe vdekjes. Ngjarja ndodh në varrezat katolike të vendlindjes së artistit, në Shkodër. Gjatë fëmijërisë së Pacit, kjo varrezë e vjetër nuk ishte në shfrytëzim, por mbeti vendi i vetëm në qytet ku mund të gjendeshin simbolet fetare, pas vendimit të regjimit të atëhershëm komunist për të ndaluar simbolet fetare, si pjesë e kampanjës kundër fesë, që kishin arritur kulmin në vitin 1960. Filmi frymëzohet prej kujtimeve të fëmijërisë së Pacit dhe karakterit paradoksal të varrezave në atë kohë, sa metafizik po aq sekular, ai vend, qysh atëherë ishte shndërruar në vendtakim të popullarizuar të të dashuruarve. Filmi ishte nisur prej një ngjarjeje reale: në vitin 1990, një grup i të rinjve, vendosi të hynte në varreza dhe t’i pastronte ato prej mbeturinave dhe barit që ishte rritur përreth varreve. Në të njëjtën kohë, me këtë “jetën e re” të varrezave, u paraqit edhe një fenomen i ri, ai, të cilin artisti e përshkruan si fenomeni i ndërtimeve “pa leje”. Ata që nuk gjenin hapësirë në varrezat zyrtare, filluan t’i ndërtojnë varret e veta ose të familjeve të tyre në këto varreza të vjetra katolike, duke krijuar njëfarë arkitekture kaotike, shumë tipike në përgjithësi për Shqipërinë post komuniste. Pos karakterit të ri që filloi ta popullonte varrezën, ishin edhe grupet e fëmijëve që rrinin vërdallë dhe që paguheshin nga pronarët ose familjarët për pastrim dhe kujdes ndaj varreve. “Imazhi i fëmijëve që lanin varret mbeti brenda meje për shumë kohë” thotë Adrian Paci “andaj vendosa ta shfrytëzoja në video”.

Filmi karakterizohet prej ritmit lirik dhe sekuencave poetike të Pacit, që mbajnë një balancë delikate ndërmjet asaj që zbulohet dhe asaj që nënkuptohet, formalisht dhe ideologjikisht.

‘The Guardians” për ekspozitën ‘The Guardians” nga Stacion - Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë, është e vendosur në ndërtesën e Stacion - Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë, ndërsa puna tjetër ‘The Encounter’ (2011), që është po ashtu pjesë e kësaj ekspozite, është e vendosur në Klubin e Boksit, që është një platformë e pavarur e inicuar prej Stacion - Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë në bashkëpunim me Prishtina Jazz Festival, Dam Festival, Skena UP, Kosovo 2.0 dhe CHwB.

Videoja vjen prej performancës në Scicli të Sicilisë më 21 gusht 2011, në të cilën Adrian Paci u takua me qindra njerëz prej gjithë botës për ta ndarë me ta gjestin e shtrëngimit të dorës. Ky gjest i thjeshtë por shumë metaforik do të përsëritet në mënyrë obsesive, përfundimisht duke u shndërruar në ritual, me qëllimin e vetëm të festimit vetë gjestit. Shumëfishimi i një gjesti të përditshmërisë, sikurse shtrëngimi i duarve – i cili, përmes lidhjes së një marrëveshjeje ose pjekjes mes dy individëve, sjell njohjen dhe këmbimin e dyanshëm dhe e tejkalon pasigurinë që i paraprin – do të përcaktojë bashkimin a tendosjen ndërmjet artistit dhe kontekstit kulturor dhe urban të vendit. Veprimi i përsëritur e zmadhon gjestin, duke e motivuar me kuptime që nuk janë të perceptueshme në zhvillimet e përditshme, dhe simboli i përsëritur si pjesë e ritualit që e feston shpalosjen e tij, bëhet ekskluziv për shkak të veçimit nga rrethina, në të cilin kuptimi i tij shfaqet i drejtpërdrejtë dhe si qëllim në vete. Njësoj, sheshi apo hapësira publike – vendi i caktuar në të cilin tiparet e komunitetit shprehen dhe zhvillohen – shihet si vend i privilegjuar i takimit në të cilin prodhohet ngjarja që ndërlidh performancën me vendin e ngjyrosur fuqishëm nga tradita.

“The Guardians” në Stacion - Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë, dhe për kontekstin ku ky institucion funksionon, është po ashtu e rëndësishme duke qenë se titulli i kësaj pune simbolikisht e 'ruan' institucionin për ekspozitën e ardhshme që lidhet me përpjekjet e fundit të ministrit aktual të kulturës dhe zëvendës kryeministrit të qeverisë së Kosovës, për ta mbyllur hapësirën që shfrytëzohet nga institucioni i vetëm i këtij lloji në Kosovë, dhe në të njëjtën kohë simbolizon përballjen ‘The Encounter” të koalicionit të institucioneve të artit dhe kulturës me politikat regresive, të kundërligjshme dhe agresive të udhëheqëses aktuale të drejtorisë së kulturës dhe bashkëpunëtorëve të saj në komunën e Prishtinës, që shprehet përmes përpjekjeve të dhunshme për të ndaluar qasjen, kontrolluar punën, mbyllur dhe demoluar ndërtesën, e cila paraqet një platformë unike për institucionet e pavarura të artit dhe kulturës dhe një trashëgimi të rëndësishme të qytetit të Prishtinës.

Ndërtesa e Klubit të Boksit u hap dhe u bë publike për publik 12 muaj më pare nga një bashkëpunim ndërmjet Stacion - Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë dhe artistes Elana Katz, me ekspozitën Action Boxing Club me Elana Katz, me kurator Albert Hetën.

“The Encounter” në Klubin e Boksit do të rihapë edhe njëherë ndërtesën për publikun dhe ta bëjë hapësirë të lirë për punët e artistëve dhe të institucioneve të pavarura të artit dhe kulturës.

Kjo është mënyra se si do t’i adresonte haptas, Lenini në Что делать? (1901, e publikuar në vitin 1902) sfidat aktuale politike dhe kontekstin e kësaj ekspozite. Ai do të argumentonte si dhe do të shtonte se koordinimi dhe bashkëpunimi i këtyre individëve, Ministrit aktual të Kulturës dhe zëvendës kryeministrit të qeverisë së Kosovës dhe udhëheqëses aktuale të drejtorisë së kulturës në Komunën e Prishtinës dhe ekipeve të saj bashkëpunuese dhe institucioneve gjegjëse, kanë krijuar kushtet më të këqija për art bashkëkohor, liri të shprehjes dhe mendim kritik në Kosovë dhe Prishtinë që prej fundit të luftës në vitin 1999.

E mira e kësaj pune është që me secilën sfidë forca të reja dhe koalicone të reja krijohen, përballjet e reja lindin edhe ide të reja dhe sjellin edhe më shumë punë dhe përkushtim për ta ruajtë lirinë dhe hapësirën për art, që në një vend demokratik nuk mund të zaptohen as nga mosdija, as nga politikat partiake as nga shteti në duar të interesave meskine.

Ekspozita The Guardians nga Adrian Paci është pjesë e programit vjetor të Stacion – Qendra për art bashkëkohor Prishtina e përkrahur nga: dcon.eu, mama bar berlin, Swiss Diamond Hotel, Hamam Jazz Bar, Komuna e Prishtinës, AMM, X-print dhe DZG.

www.stacion.org