Deeparture
Mircea Cantor
5 Dhjetor 2007 - 11 Janar 2008
Hapja: 5 Dhjetor 2007, ora 19:00
Video "Deeparture", prej 2 minutash e 43 sekondash i Mircea Cantor-it tashma po shfaqet në përsëritje të pandërpreme në Stacion - Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë. Cantor-i i ka ndry kaprollin dhe anmikun e tij të lashtë, ujkun, në nji hapësinë elegante me mure të bardha që gati-gati mundet me qenë nji tjetër galeri në muze, dhe mandej e ka xhirue rezultatin. E rezultati asht mahnitës dhe befasisht paqësor. S’ka gjak as zorrë të shkëpërderdhuna; veçse tepër shum frymëmarrje të shpejtueme, nuhatje të vëmendshme dhe njifarë vetëdijesimi të mprehtë për nji krijesë tjetër, të cilin njerëzit rrallëherë e arrijnë. Cantor asht artist rumun 30-vjeçar që jeton në Francë qysh prej vitit 1999, porse zani tashma po i ndihet rretheqark rruzullimit.
Videoja e shkurtë DEEPARTURE, 2005, e bazueme në parimin e pasigurisë, i cili asht lëshue për ta pengue ‘ligjin’ natyral, e regjistron selljen e kaprollit dhe të ujkut që ndërveprojnë të ndruejtun në hapësinën boshe të galerisë (Galeria e Yvon Lambert-it në Paris, ku Cantor asht i bazuem aktualisht). Pjesës i paraprin performimi i famshëm i vitit 1974 i Joseph Beuys-it kur, pa i shkelë kamba në tokën amerikane, artisti konceptual gjerman ishte pështjellë në shajak dhe qe dërgue në galerinë e René Block-ut në New York, ku e ndau të njejtën hapësinë me nji çakall pwr nji javë rresht. E prap, ndryshe nga eksploatimi që Beuys ia bante natyrës për t’i mundwsue me e formësue vetjen e tij neo-primitiviste, skenari i Cantor-it e mënjanon artistin dhe e orienton shikuesin me u përqendrue ne marrëdhanien mes dy kafshëve, që asht plot ngurrime dhe pavendosmwni. Ma parë sesa me e supozue nji kundërshti mes natyrës e kulturës, vendit dhe jo-vednit, transcendenca e të cilave ishte kyçe për identitetin e vetëmitologjizuem artistik të Beuys-it (si dhe për kritikën parathanëse të Smithson-it mbi specificitetin e vendit ), ‘Deeparture’ e shpalon forcën e ndikimit të ndërsjellë të secilit mbi tjetrin. Ndonëse arkitektura e kubeve të bardha asht vu për t’i trazue ritmet natyrale dhe marrëdhaniet grabitqar-pre mes dy kafshëve, shikuesit nisin me u njejtësue me protagonistët e videos. Dhe përkundër të tana spjegimeve, ujku – dukshëm i zanë gafil – asnjiherë nuk e sulmon kaprollin, tue e shkaktue kësodore nji shmangie e cila na projekton thellë në pasiguri. Ndërkohë që Cantor, sikurse edhe Beuys, shërbehet me botën e egër të kafshëve për qëllime artistike, videoja e tij përfaqëson nji shembull të qartë të efekteve trazuese të mjedisit njerëzor mbi natyrën – tue i sugjerue kësisoj pasojat e tij poteniale katastrofale çnatyralizuese mbi ekologjinë. Njikohësisht nënkupton – nëpërmjet inskenimit të kësaj jete të egër mbrenda nji galerie arti – se manipulimet e tilla mjedisore mund të ridrejtohen drejt qëllimeve të ndryshme keative. E shkurtë në kohëzgjatje por e vume në përsëritje të vazhdueshme, kjo video e propozon nji cikël, arratisja prej të cilit asht e pamundshme; por, ndryshe nga ciklet e jetës, videoja e pamundëson kalkulimin, tue shpalue kështu potencial të paparapamë.
Pse nuk e sulmoi ujku kaprollin?
Mircea Cantor: Nuk e di përgjegjen! Nuk ishte madje as i interesuem me e ba këte. Për mue çashtja ishte te tensioni i pamjes. Nuk ishte n’interesin tim me pa gjak, tue pasë parasysh se aq shum jemi mësue me pa pamje të tilla rreth nesh sa ma as që befasohemi madje kur shohim gazetarë të rrëmbyem, sulme me bomba e të gjitha këto. Doja me e vendosë nji marrëdhanie në atë pamje që na prek shum ma thellë sesa me e pasë pa nji pamje tmerruese. Të tanë e dimë e kaprojt e ujqit nuk rrojnë bashkë. Prandaj e bukura asht me e mbajtë këtë tension – bash sikur ta kishe nji hark, të cilin vazhdon me e lakue. Kjo asht arsyeja pse pjesa nuk ka fare za. Kur të hysh në sallë, mund ta ndiesh frymëmarrjen tande, rrahjet e zemrës. Unë thjesht i kam vu kaprollin dhe ujkun në nji sallë. Nuk ka kurrfarë rrengu a mashtrimi. Mundesh me pa se nuk asht animacion, se nuk asht Photoshop, nuk asht pamje e manipulueme. Na duhen këto gjana të njimendta – me qenë ashtu, me qenë aty. Kjo asht arsyeja pse jam artist: për me e përqendrue mesazhin, jo me ndejtë pasiv kundrejt nji realiteti të caktuem.