• Permanence in the Ephemeral Displaced
Permanence in the Ephemeral Displaced
Përhershmëria në të përkohshmen e zhvendosur
Brilant Milazimi
Kuruar nga Albert Heta
23/12/2024 - 17/02/2025
Hapja: 23/12/2024, ora 20:00
Adresa: Klubi i Boksit, Mark Isaku 8, 10000 Prishtinë, Republika e Kosovës
Google Maps: https://g.co/kgs/pEzmtDn

Stacion - Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë ka kënaqësinë të prezantojë ekspozitën "Përhershmëria në të përkohshmen e zhvendosur", ekspozitë personale me Brilant Milazimin kuruar nga Albert Heta.
"Përhershmëria në të përkohshmen e zhvendosur" me Brilant Milazimin është ekspozita e fundit e programit vjetor të ekspozitave të Stacion - Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë për vitin 2024 dhe moduli final i Çmimit Artistët e së nesërmes i krijuar për të ofruar një ekspozitë personale për fituesit e Çmimit.
Ekspozita "Përhershmëria në të përkohshmen e zhvendosur" eksploron tensionin midis momenteve të përkohëshme dhe ndikimin e përballuar, ku ajo që është kalimtare gjen kuptim në zhvendosje dhe sfidon konceptet konvencionale të stabilitetit dhe vazhdimësisë.
Hapësira dhe koha ndryshojnë brenda nesh kur hapësira dhe kushtet e jashtme ndryshojnë, trupat tanë ndryshojnë përjetësisht përgjatë zhvendosjes. Kosova, vendi i origjinës së zhvendosjes të detyrueshme dhe të padetyrueshme (fizikisht), në vete përmban histori të mallit për shtëpinë (vendin), dhe trendin e migrimit të dekadës së fundit, të nxitur nga ndikime politike, ekonomike, sociale, i cili mbetet i vazhdueshëm.
Kjo gjendje e vazhdueshme e fluksit ndryshon aftësinë tonë për të përcaktuar ndjenjën e vetvetes dhe identitetin e brendshëm. Imazhet e shpërndara të portreteve të njerëzve që largohen, enden, që nuk janë në gjendje të shijojnë momentet e vogla të kohës së lirë dhe mbajnë veten (kapen) pas kujtimeve të kohës së kaluar së bashku dhe me të tjerët, dhe vetmisë, janë simbole që shihen në pamjet, setet, objektet dhe figurat e theksuara nga Brilant Milazimi. Puna e tij kap identitetet dhe historitë e fragmentuara dhe fluide të atyre që u formuan nga zhvendosja, duke ofruar pikëpamje të jetëve të përcaktuara nga lëvizja, malli dhe dëshira.
Njerëzit bëhen hapësirë dhe shtëpi për ne kur na duan mjaftueshëm, kur kujdesen mjaftueshëm ose në mënyrën "e duhur". Pamundësia për të bërë fizikisht një shtëpi të sigurt në hapësirën fizike për të tjerët dhe veten tonë, për shkak të faktorëve të jashtëm ose rrugëtimi drejt një ëndrre për një shtëpi larg, ku jeta duket më e lehtë dhe më e sigurt, çrregullon lidhjet intime, familjet, lidhjet e tjera të afërta dhe mënyrën se si shoqëria zhvillohet. Pamundësia për të pasur fizikisht, pushtuar dhe materializuar shtëpinë në shoqëri, shpesh prishë modelin tonë të brendshëm të shtëpisë - atë që simbolikisht përfaqëson shtëpinë brenda nesh - shtëpinë në marrëdhënie.
Pamjet që i ruajmë, i shfaqim dhe ia dërgojmë njëri-tjetrit gjatë komunikimit bëhen simbole të një lidhjeje që ekziston në kohë (dhe hapësirë të brendshme përtej kohës). Përpjekja për të krijuar lidhje midis realiteteve dhe për t'i pasqyruar realitetet në botën materiale përmes artit duket si mekanizëm përballimi - pasi arti shkon përtej hapësirës dhe kohës dhe mënyrave formale të shprehjes së ndjenjave në botën e ditëve të sotme të dominuar nga emotikonat për shfaqjen e ndjenjave ndjenjave, dhe bisedat virtuale.
Ashtu si shumica e tregimeve tona, edhe ky tregim është për udhëtimet personale dhe kolektive drejt një jete më të mirë, fatit, humbjes dhe të ardhmeve të ndritura imagjinare që shpesh zhduken.
Të krijuara gjatë udhëtimeve dhe të mbushura me histori të përvojave personale dhe kolektive, këto vepra të Brilant Milazimi dolën nga periudha të udhëtimeve dhe lëvizjes të cilat formësuan teknikën, formatin dhe materialitetin e tyre. Ato morën formë gjatë udhëtimeve dhe rezidencave, duke filluar me kohën në Neë York City dhe duke vazhduar deri gjatë muajve të fundit përdersa artisti udhëtonte nëpër destinacione të ndryshme.
Brilant Milazimi (*1994, Gjilan, jeton dhe punon në Prishtinë) është fituesi i Çmimit Artistët e së nesërmes 2020, i përzgjedhur nga Anne Barlow, Qëndresë Deda, Flaka Haliti, Adam Kleinman dhe Nebojša Milikić, të cilët gjetën në veprën e Milazimit një pranit ëe fuqishme në shprehjet e formave njerëzore dhe jo njerëzore që në disa raste gjithashtu bashkohen në identitete të reja, fantastike. Idetë rreth traumës, shpresës, përballjes dhe lirisë shprehen në mënyrë implicite dhe poetike të përcjella në këtë seri të punëve, duke shfaqur interesimin e tij për botën e nëntokës psikologjike të Kosovës.
Brilant Milazimi është bashkëthemelues i Hap, kolektiv arti i themeluar në vitin 2018 nga katër studentë të artit — Valdrin Thaqi, Brilant Milazimi, Dardan Murseli dhe Ermir Zhinipotoku. "Hap" përkthehet si "të bësh hap" ose "të hapësh". Kolektivi u formua si një mënyrë për të organizuar dhe reaguar ndaj ngjarjeve në Kosovë përmes ekspozitave dhe ngjarjeve.
Ekspozita e parë personale e Milazimit, Woke (2019), u organizua nga LambdaLambdaLambda në Prishtinë, Kosovë.
Ekspozitat e tij të fundit personale përfshijnë: One Ball for All, LambdaLambdaLambda, Prishtinë (2023); 2023 Art Basel, LambdaLambdaLambda, Bazel (2023); Lurk Beneath the Surface, PAUL SOTO, Los Angeles (2022); Let's See, LA MAISON DE RENDEZ-VOUS, Bruksel (2021); Ermes-Ermes, Romë (2021)
Ekspozitat e tij të fundit kolektive përfshijnë: Fremdkörper, Am Schwarzenbergplatz, Vjenë (2024); Chiesa Santa Lucia del Gonfalone, Ermes-Ermes, Romë (2023); Camera Obscura, Voloshyn Gallery, Kyiv (2023); Hotel Grand, Manifesta 14, Prishtinë (2022); Nothing Like Home II, LambdaLambdaLambda2, Prishtinë (2022); Internal, Palace of Youth and Sports, Prishtinë (2022); A.I.R., Residency Unlimited, New York (2022); Nothing Like Home, LambdaLambdaLambda, Prishtinë (2021).
"Përhershmëria në të përkohshmen e zhvendosur" me Brilant Milazimin është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, Komuna e Prishtinës, Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës (RRIPAK), Hej Taxi, X- Print, dhe DZG.
+
Stacion - Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë
Përhershmëria në të përkohshmen e zhvendosur
23/12/2024 - 17/02/2025
Hapja: 23/12/2024, ora 20:00
Artist: Brilant Milazimi
Kurator: Albert Heta
Ndihmës kuratore: Qëndresë Deda
Arkitektura e ekspozitës: Vala Osmani dhe Albert Heta
Teksti i ekspozitës: Qëndresë Deda dhe Albert Heta
Kordinatore e projektit: Qëndresë Deda
Instalimi i ekspozitës: Skender Xhukolli
Praktikantë: Viona Reçica, Delmin Šaljunović
Foto dokumentimi: Arben Llapashtica, Stacion - Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë
Pllakati: DZG
+
Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë në mediat sociale
+
Stacion - Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë
Rruga Henrik Bariç, Nr. 23
10000 Prishtinë,
Tel. & Fax: +383-(0)38-222-576
Mob: +383-(0)46-222-576
E-mail: info@stacion.org
www.stacion.org