• Prishtina Map 21
Prishtina Map 21

Prishtina Map 21 Rezultati i punëtorisë të udhëhequr nga Minna Henriksson me Laureta Hajrullahu, Fitim Haziri, Lumturie Krasniqi, Elisa Nikolla, Era Qena, Albulena Ujkashi, Luiza Thaqi


10/12/2021 - 10/1/2022
Hapja: 10/12/2021, ora 20:00

Klubi i Boksit
Rr. Mark Isaku 8, 10000 Prishtinë

Orari i punës:
E mërkurë: 3:00 - 5:00 pm
E premte: 3:00 - 5:00 pm

Stacion - Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë ka kënaqësinë të shpallë ekspozitën e punëtorisë Prishtina Map 21 të udhëhequr nga Minna Henriksson dhe të zhvilluar së bashku me artistë e rinj, studentë të artit dhe pjesëmarrësit e tjerë aktiv në fushën e artit, si modul i parë i projektit Rilindja Rilindja Rilindja të Stacion - Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë.

Skenat e artit në qytetet e mëdha zakonisht përbëhen nga muzetë publik dhe privat, institucionet e pavarura dhe publike të artit dhe kulturës, galeritë shitëse dhe jo-komerciale, si dhe hapësirat e drejtuara nga artistët, punëtorë të kulturës, shkollat e artit, festivalet e artit dhe panairet e artit, tregtarët, koleksionistët dhe shtëpitë e ankandeve, sindikatat e artistëve dhe organizatat e tjera të avokimit, ndërrmarjet e donatorët privat dhe organet e financimit publik, revistat e artit dhe platformat për kritikën e artit.

Cilat institucione e akter janë dominues në skenën e artit vendor në Prishtinë, dhe çfarë lloj praktikash e organizimesh janë më pak të pranishme apo cilat institucione janë plotësisht inekzistente? Arsyet se si janë gjërat në Prishtinë në vitin 2021 u menduan dhe dhe diskutuan gjatë punëtorisë së shkurtë, por gjithashtu edhe ndikimi që ka natyra e skenës së artit në Prishtinë dhe Kosovës në artistët vendas dhe prodhimet artistike.

Si një ligjëratë hyrëse në punëtori, pjesëmarrësit mësuan për vepra të ndryshme artistike, projektet që synojnë krijimin e hartave të ngjajshme që synojnë analizimin dhe kritikën e strukturave të fushës së artit. Përfshirë, projektet e Minna Henriksson që kanë synuar të komentojnë politika të padukshme themelore në fushën e artit. Në këtë pjesë të punëtorisë pjesëmarrësit lexuan dhe diskutuan shkrimin "The Tyranny of the Structurelessness" nga Jo Freeman (1970), për të kuptuar më mirë proceset e vendimmarrjes në komunitetet joformale të pastrukturuara.

Gjatë punëtorisë Prishtina Map 21 pjesëmarrësit krijuan një vizualizim diagramatik të organizatave dhe njerëzve aktivë në skenën lokale, të krijuar duke filluar nga pozicioni i tyre dhe marrëdhënieve të tyre me njëri-tjetrin, që do të shfaqet për publikun për t'u vlerësuar së bashku.

Ekspozita e Prishtina Map 21 intervenon në hapsirën ekspozuese të Stacion - Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë në Klubin e Boksit në Prishtinë dhe ne arkitekturën e ekspozitës së çmimit “Artistët e së nesërmes” 2021. Qëllimi i çmimit "Artistët e së nesërmës", i organizuar në Kosovë nga Stacion – Qendra per Art Bashkëkohor Prishtinë, është që të ofrojë mbështetje artistëve të rinj dhe të lehtësoj vazhdimin e punës së tyre duke i zhvendosur ata nga një rol margjinal në një rol qendror në shoqëri.

Prishtina Map 21 me Minna Henriksson në kontekstin kosovar synon të hapë diskutim dhe paraqet tendenca, organizime dhe institucione që janë dominuese në skenën e artit vendor në Prishtinë, dhe ngjarje e organizime që janë margjinale dhe më pak të pranishme apo institucione plotësisht inekzistente.

+

Minna Henriksson (lind. 1976, Oulu, jeton në Helsinki) është artiste pamore e cila punon me një gamë të ndryshme shprehjesh e mediumesh duke përfshirë tekstin, vizatimin, linogdhendjen dhe fotografinë. Ajo studioi art në Brighton, Helsinki dhe Malmö. Puna e saj shpesh është bashkëpunuese dhe lidhet me luftimet antiraciste, lëvizjet e majta dhe feministe. Vitet e fundit puna e saj shpesh është marrë me arkiva dhe histori. Puna e saj bazohet në kërkime dhe përfshihet në procese të fshehta politike që duket të jenë neutrale ose të natyrshme. Në 2017 Henriksson u nderua me Çmimin Anni dhe Heinrich Sussmann për punën artistike të përkushtuar ndaj idealit të demokracisë dhe antifashizmit. Minna Henriksson është anëtare e Jurisë së cmimit “Artistët e së nesërmes” 2021.

Punëtoria Prishtina Map 21 e udhëhequr nga Minna Henriksson është mbajtur në Prishtinë prej 6 deri me 10 dhjetor, 2021.

Prishtina Map 21 është pjesë e projektit Rilindja Rilindja Rilindja dhe ka për synim zhvillimin e hulumtimit në vend dhe dokumentimin e zhvillimeve në fushën e artit dhe shoqërisë, dhe ndikimin në promovimin e artit dhe kulturës dhe trashëgimisë kulturore për krijim të dijes, zhvillim të turizmit dhe shkëmbimit ndërkombëtar.

Programi Rilindja Rilindja Rilindja si projekt i përgjigjet realitetit të mbizotëruar nga efektet e pandemisë Covid-19 dhe synon krijimin e intervenimeve programore që ndihmojnë ringjalljen dhe rilindjen ekonomike të grupeve të ndikuara drejtpërdrejt nga pasojat e zgjatjes së “lodhjes” ekonomike në skenën e artit pamor dhe shoqërinë civile në Kosovë.

+

Stacion - Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë
Prishtina Map 21 me Laureta Hajrullahu, Fitim Haziri, Lumturie Krasniqi, Elisa Nikolla, Era Qena, Albulena Ujkashi, Luiza Thaqi

Rezultati i punëtorisë të udhëhequr nga Minna Henriksson
Arkitektura e punëtorisë dhe ekspozitës: Vala Osmani dhe Albert Heta
Produksioni: Qendresa Zeka, Laureta Hajrullahu, Luzia Thaqi
Ndihma teknike: Skender Xhukolli
Foto dokumentimi: Alban Nuhiu, Luiza Thaqi

+

Programi Rilindja Rilindja Rilindja i Stacion - Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Prishtina Map 21 mbështetet nga Drejtorati i Kulturës i Komunës së Prishtinës dhe Fondacioni Friedrich-Ebert-Stiftung Zyra në Kosovë (FES).