• Portrait of the Painter, Photo Documentation, dim. 8.5 x 5.7cm, 1990 - 1999
Stacion CCA Prishtina në Art Market Budapest 2015

Kthimi në të ardhmen: Kadër Pagarusha
Punë kuratoriale e Albert Hetës

8 - 11 Tetor 2015

Vendi:
Art Market Budapest 2015
Panairi Ndërkombëtar i Artit Bashkëkohor
Tetor 8-11, 2015
Qendra Kulturore Millenáris, Budapest
Ndërtesa "B", Booth G501

Orari:
E Enjte (8 Tetor): 11:00-20:00
E Premte (9 Tetor): 11:00-22:00
E Shtunë (10 Tetor): 11:00-20:00
E Diel (11 Tetor): 11:00-20:00


Stacion - Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë ka kënaqësinë të prezentoj projektin "Kthimi në të ardhmen: Kadër Pagarusha" si pjesë e programit të zgjdhur të Stacion - Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë për pjesëmarrjen në Art Market Budapest 2015 - International Contemporary Art Fair.

"Kthimi në të ardhmen: Kadër Pagarusha" është pjesa IV e programit të ekspozitave të projektit të Stacion - Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë "Kthimi në të ardhmen". "Kthimi në të ardhmen" u nis si një rrugëtim unik dhe dhe një aventurë interesante të të ardhmes së kaluar, por edhe një fillim interesant i të kaluarës së ardhme.

Ndërtimi i të kaluarës edhe sot është detyrë e përditshme në shtetin tonë projekt. Pa dasht të flasim tani për makinerinë shlyese që po shkatërron ndërtesa, po heq shenjat nga ndërtesat dhe objektet që shënjojnë një pjesë të rëndësishme të historisë së Luftës Antifashiste në Kosovë, që po ndërron emrat e monumenteve të mbetura ose që po i quajnë ato me emra politikisht korrekt para se të fshihen prej faqes së dheut, duke fshirë kështu kujtesën e qytetit dhe historinë tonë, ajo që nënvizohet më shumë në këtë pjesë të projektit, është përpjekja që po bëhet për të na bërë që të harrojmë se ky vend dikur kishte ekonomi, shoqëri dhe sistem funkcional të mirëqenies sociale.

Prej fillimit të vitit 2009, "Kthimi në të ardhmen" u formësua përbrenda programit të ekspozitave: Petrit Halilaj: Kthimi në të ardhmen (17/12/2009 - 6/2/2010), Kthimi në të Ardhmen: Agim Çavdarbasha (11/3/2010 - 2/4/2010), Kthimi në të ardhmen: Nysret Salihamixhiqi (1/6/2010 - 22/6/2010) dhe Kthimi në të ardhmen: Kadër Pagarusha (4/9/2010 - 2/10/2010). The Director's Cut: Rexhep Ferri (5/4/2011 - 30/4/2011) ishte ekspozita e fundit pjesë e projektit "Kthimi në të ardhmen".

Art Market Budapest, panairi ndërkombëtar i artit i themeluar në vitin 2011 paraqet një përbërje të veçantë artistike qe organizohet ndoshta në sallat më emocionuese ekspozuese në Evropë, paraqet disa nga ekspozuesit të mirëpritur edhe nga panairet më të vjetra të artit, dhe i jep një prezencë të theksuar gjeneratës të re të galerive, institucioneve dhe artistëve, duke përfshirë yjet e së

Art Market Budapest përcakton një rajon të ri kulturor: EVROPA E RE, ku mund të gjinden ndikimet e kombinuar nga ish-vendet Komuniste që shtrihen nga Shtetet Baltike në Ballkan, dhe nga burime të frymëzimit kulturor si Turqia apo Izraeli në Jug, vendet e Azisë Qendrore në Lindje, apo edhe një brez i ri progresiv i artistëve nga Perëndimi tashmë i njohur.

Ekspozuesit nga mbi 30 vende dhe një audiencë prej mbi 25 mijë vizitorëve ndërkombëtarë tregojnë qartë se ka qenë një nevojë në botën e artit për këtë platformë të re artistike për të sjellë freski në skenën e artit Evropian dhe global.

Kadër Pagarusha u lind më 1946 në Prizren, Kosovë. Prej vitit 1974 jeton dhe punon në Bruksel.
Mbaroi shkollën e mesme të artit në Pejë (1961-1966).

Shkollimin e vazhdoi me diplomimin në shkollën e lartë pedagogjike në Prishtinë, degën e arteve pamore, në klasën e profesor Tahir Emrës.

Në ndërkohë, punoi si dizajner në fabrikën e tapetave të murit 'Fazita' në Prishtinë.

Kjo fabrikë bashkë me gati pjesën më të madhe të elementeve të boshtit të zhvillimit ekonomik dhe progresit në Kosovë sot nuk ekzistojnë më. Mbasi që shumica e punëtorëve u larguan nga administrata okupuese serbe mbas grevës së përgjithshme të 2 shtatorit 1990, pasuritë e tyre u vodhën dhe ato që mund të transportoheshin u çuan në Serbi. Mbas çlirimit në vitin 1999, kjo fabrikë bashkë me të tjerat që ishin themeluar në kohën e socializmit si organizata bazë të punës së bashkuar a si njësi vetëqeverisëse të interesit a ndonji organ tjetër vetëqeverisës u shitën me çmim të ulët nëpërmjet procesit të privatizimit shumë të dyshimtë.

Nga viti 1967 e deri në vitin 1969 Kadër Pagarusha punoi si redaktor teknik në departamentin e revistave dhe të librave në Ndërrmarjen Botuese Grafike dhe Shitëse 'Rilindja'.

Rilindja, që don me thënë zgjim kombëtar ose rilindje kombëtare, ishte edhe emri i gazetës së vetme në gjuhën shqipe të botuar në Jugosllavi, deri në 1980-tat e vonshme. E themeluar në Prizren në vitin 1945, më vonë u zhvendos në Prishtinë dhe fillimisht shtypej në shtypshkronjën e Frontit Popullor në Prishtinë.

Rilindja ishte e rëndësishme për botimin e librave të zgjedhur, përkthime dhe publikime të tjera për tregun shqipfolës në Jugosllavi dhe përtej. Kjo ishte shtëpia, në të cilën gati secili disident gazetar, intelektual, aktivist që më vonë u bënë politikanë, u ushqye dhe mund të gjente strehim.

Me 5 shtator 1990, administrata pushtuese e Serbisë e mbylli Rilindjën.

Rasti i shkatërrimit dhe shlyerjes nga kujtesa publike e Rilindjës (1990-2010) është një tjetër rast klasik i përpjekjes për të shlyer jo vetëm historinë por edhe dëshminë.

Në vitin 1969 Kadër Pagarusha shpërngulet për në Bruksel dhe prej fundit të vitit 1969 e deri në vitin 1971 vazhdoi shkollimin e lartë për pikturë në Académie Royale des Beaux Arts (Akademinë mbretërore të arteve të bukura) në Bruksel.

Në vitin 1971 kthehet në Prishtinë dhe vazhdon të punojë si redaktor teknik i gazetës Rilindja.

Në vitin 1974 kthehet në Bruksel dhe vazhdon punën në pikturë deri në vitin 1982.

Gjatë kësaj kohe ai mori pjesë në disa ekspozita grupore, përfshirë këtu: Prix Breughel Bruksel 1975; konkursin 'Louis Schmidt' Bruksel në vitin 1981, në shtëpinë e kulturës Woluwe Saint Pierre 1981 si dhe një ekspozitë vetjake në konsullatën belge në Atlanta, SHBA (1979).

Prej vitit 1986 e deri në vitin 1988 i vazhdoi studimet pasuniversitare në Hoger Instituut voor Schone Kunsten në Antwerp, në klasën e profesor Hugo Heyrman

Prej vitit 1990 deri në vitin 1991 ai punoi në Paris.
Punët e tij u ekspozuan shpesh në Bruksel, në mes tjerash në galerinë Cobra (1994, 1997 dhe 1999), galerinë D'Egmont (1984), galerinë Triangle (1984), galerinë Pacific (1975), galerinë Tetra Wavre (1983) dhe Instituut voor Schone Kunsten në Antwerp (1985).

Kadër Pagarusha u shpërblye në vitin 1980 me çmimin për pikturë Prix de Peinture 'André Toetenel' dhe në vitin 1985 me çmimin 'Karel Verlaat'.

Punët e tij janë pjesë e koleksioneve në SHBA, Izrael, Britani të Madhe, Irlandë, Suedi, Francë, Holandë, Japoni dhe Zvicër.

Pyetja e bërë me këtë pjesë të projektit "Kthimi në të ardhmën", është sa gjatë mund t'i mbajmë sytë hapur?


Kthimi në të ardhmen: Kadër Pagarusha në Art Market Budapest është mbështetur nga Ministria e Diasporës e Republikës së Kosovës, DZG dhe Art Market Budapest.