Muzeu i Artit Amerikan është insitucion edukativ dedikuar mbledhjes, ruajtjes dhe ekspozimit të kujtimeve kryesisht për Muzeun e Artit Modern në Nju Jork dhe programit Internacional të Ekspozitave Qarkulluese të Artit Amerikan. Janë pikërisht këto ekspozita të MoMA, disa prej të cilave janë kuruar nga Dorothy Miller, që ndihmuan krijimin e identitetit të parë të përbashkët kulturor të pasluftës në Evropën Perendimore, identitet që bazohej në internacionalizëm, modernizëm dhe individualizëm.
Që nga fillimet e para Muzeu i Artit Modern është konsideruar veçanërisht nga art-dashësit amerikan, si pothuasje tërësisht proEvropian dhe në të njejtën kohë indiferent kundrejt amerikanëve. Kjo deri diku ishte e vërtetë meqë në atë kohë vështirë mund të gjindeshin shembuj të Artit Amerikan që do të mund të përshtateshin në rrëfimin dominant modern. Përmbajtja dhe struktura e këij rrëfimi bazohej në “lëvizjet internacionale” rrënjët e të cilës mund të gjurmohen që në lëvizjet e artit modern të Evropës të fillimit të shekullit 20-të. Rrëfimi pëfundimisht u krijua në mes të viteve 30-ta nga Alfred Barr i Riu, pas ekspozitës së tij “Kubizmi dhe Arti Abstrakt” siç ishte pëkufizuar përmes diagramit të tij të famshëm dhe më vonë edhe përmes “rrëfimi i ekspozimit” të Muzeut të Artit Modern.
Me qëllim të shmangjes së kritikës dhe balancimit të këtij animi proEvropian, muzeu kishte organizuar një seri ekspozitash të artit bashkëkohor amerikan të kuruara nga Dorothy Miller. Në atë kohë këto ekspozita, të cilat filluan me “14 amerikanët” (1946), në pamje dukeshin më shumë si një shfaqje përcjellëse, akoma/ende jo të gatshme për t’u bërë pjesë e rrëfimit kryesor. Por, ishin këto ekspozita të "amerikanëve" në MoMA përgjatë viteve '40-ta dhe '50-ta, dhe "Arti Abstrakt në Amerikë" i vitit 1951 kur për herë të parë në kontekstin e muzeut u prezantuan Gorky, Motherwell, Pollock, Gottlieb, Rothko, Klein, de Kooning,… Dhe kur në fillim të viteve ‘50-ta MoMA themeloi Programin Ndërkombëtar të Ekspozitave Qarkulluese të financuara nga Rockefeller Foundation, me qëllim “promovimit të një mirëkuptimi më të madh ndërkombëtar dhe respektin e ndërsjellë", ishin pikërisht këta artistë që themeluan segmentet më radikale dhe më atraktive të ekspozitave qarkulluese të prezentuara para publikut Evropian. Ndër ekspozitat që erdhën në Evropë ishin: "Dymbëdhjetë piktorë dhe skulptorë bashkëkohorë amerikanë" (1953), "Arti modern në SHBA" (1956), "Piktura e Re Amerikane" (1958). Këtu do të mund të përfshinim përfaqësimin amerikan të sjellë si pako tek Documenta II (1959) nën patronazhin e programit internacional [International Program] të MoMA.
Ishin vite të çuditshme në art dhe në politikë. Në njërën anë arti modern duhej të mbrohej nga kritika e së djathtës (Alfted Barr. Jr.:“A është arti modern komunist”) dhe në anën tjetër, u bë e dukshme, veçanërisht për njerëzit si George Kennan, se arti modern amerikan mund të përdorej në Luftën e Ftohtë kulturore, si shprehje e kreativitetit dhe lirisë së Perëndimit.
Pavarësisht kontekstit të Luftës së Ftohtë të programit internacional të MoMA, nga këndvështrimi i sotëm, ndoshta do të ishte më e rëndësishme të kuptohej se në çfarë mase këto Ekspozita Qarkulluese ndihmuan themelimin e identitetit të parë të përbashkët kulturor evropian të pasluftës që bazohej në modernizëm (Arti Abstrakt), individualizëm dhe internacionalizëm. Ishte pikërisht arti abstrakt i cili në vitet e 50-ta, si në Evropë, ashtu në Amerikë, përfundimisht vendosi rrëfimin e Alfred Barr Jr. si të vetmen histori legjitime të artit modern.