Shkolla Verore si Shkollë
26 korrik - 9 gusht, 2015
E premte, 31 korrik 2015, ora 20:40
Adrian Deva: Piktura si Zanat Konceptual + Shikim kah e ardhmja
Ardian Deva do të prezentojë “Piktura si Zanat Konceptual + Shikim kah e ardhmja”. Fjala painting në gjuhën angleze bazohet në fjalën rrënjë të saj paint (ngjyrë), e cila përmban në vetvete domethënien e artizanatit, ndërsa fjala greke Ζωγραφική (zo̱grafikí̱) për pikturën përkthet si grafika e jetës dhe duket të jetë e lidhur më shumë me qëllimin konceptual të pikturës se sa me atë të artizanatit.
Për shekuj me rradhë, piktura ishte forma dominante e artit vizuel e sot ajo shihet me më shumë diversitet se asnjëherë më parë. Nga të qenit në krye të estetikës novatore në të qenit regresive, e nënvlerësuar dhe e stagnuar, piktura ende duket se qëndron në kuptim dhe interpretim të ngushtë kulturor të asaj se çfarë është dhe çfarë ajo duhet të paraqesë.
Punët e Adrian Devës janë të rrënjosura në praktikën e pikturës dhe si të tilla shqyrtojnë çështjet e pritshmërive kulturore, estetikën e (pa)qasshme dhe kitsch-in, dhe pikturën si formë e kërkimit konceptual në botën e sotme të imazheve lëvizëse, tingujve të pashmangshëm, dhe materialeve vizuele të imponuara të cilat janë të dizajnuara për të tërhequr vëmendjen tonë.
Looking Forward, pjesa e dytë e ligjëratës trajton mendimet në rolin e mësimdhënësve të artit dhe institucioneve tradicionale arsimore në gjendjen vazhdimisht të ndryshueshme të shpërndarjes së informatës dhe në synimin për zhvillim të njohurive të reja.
Adrian Deva është piktor dhe ligjerues në Penny W. Stamps School of Art and Design, Universiteti i Michiganit, në Ann Arbor. Ai studioi për pikturë në Universitetin e Prishtinës (BFA 1998) dhe Eastern Michigan University (MFA 2004). Puna e tij ekspozohet që nga viti 1995 në ekspozita të shumta në Galerinë Dodona (Prishtinë), Muzeun e Artit të Ri (Detroit), Galerinë Sining Makiling, Universiteti i Filipineve, Fórum Eugénio de Almeida, Evora (Portugali), galera Artcite, Windsor (Kanadë), Universiteti i Kuala Lumpur (Malajzi), Qendra e Artit Ranelagh, Dublin (Irlandë) dhe në vende tjera në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe më gjerë. Ai është mësimdhënës në arsim të lartë që nga viti 2004 dhe është i interesuar në rolin e institucioneve arsimore, domosdoshmërinë e edukimit interdiciplinar të zgjeruar, dhe në sfidat me të cilat do të përballen artistët dhe dizajnerët e së nesërmes.