• Artistët e së nesërmes 2020
Artistët e së nesërmes 2020
Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë

Çmimi "Artistët e së nesërmes" 2020
Laureta Hajrullahu, Shkamb Jaka, Brilant Milazimi

Shpallja e fituesit/es të çmimit “Artistët e së nesërmes” 2020  11 dhjetor 2020, ora: 17:00.  Adresa: Klubi i Boksit, Mark Isaku 8, 10000 Prishtinë, Republika e Kosovës.

Deklaratë e Jurisë së çmimit “Artistët e së nesërmes” 2020

Juria u mblodh në Prishtinë dhe ‘online’ të enjtën me 10 dhjetor për të përzgjedhur fituesin e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2020. Patëm kënaqësinë me pa ekspozitën dhe takuam secilin nga finalistët Laureta Hajrullahun, Shkamb Jakën dhe Brilant Milazimin për të diskutuar punën e tyre.

Juria ishte e impresionuar në mënyrën se si finalistët zhvilluan idetë e tyre për ekspozitën dhe si reaguan ndaj hapësirës së Klubit e Boksit. Secili artist ka vizionin dhe qasjen e veçantë që ne besojmë që do të vazhdojnë të japin kontributin e tyre në praktikat e artit bashkëkohor në Kosovë dhe tutje.

Prezentimi i Shkamb Jakës reflekton hulumtimin e tij të vazhdueshëm midis gjendjeve të ndërmjetme në mes “portaleve” ose “gjatësive të valëve” të ndryshme të cilat vijnë bashkë në pikturat e tij dhe videos së re të krijuar për çmimin. Jaka me shkathtësi heton format e sjelljes njerëzore, siç është perceptimi i vetëdijshëm dhe gjysëm i vetëdijshëm, gjendjen e mënyrës së të menduarit, duke ftuar shikuesin të angazhohet me përvoja reale dhe të imagjinuara përmes hyrjeve të koduara të ngulitura në punën e tij.

Puna e Laureta Hajrullahut flet për çështjet kritike të kohës sonë, në veçanti se si nocionet e përmallimit dhe përkatësisë ndikojnë në ndërmjetësimin digjital në kohë krize. Instalimi i saj i ri pasqyron bashkëveprimin kompleks midis 'ndarjeve' të ndryshme, të tilla si ato midis ekranit dhe trupit, individit dhe hapësirës kolektive, private dhe publike dhe 'reale' dhe virtuale, në mënyra të freskëta dhe shumëplanëshe.

Për këtë ekspozitë, Brilant Milazimi paraqet një grup pikturash dhe një vepër të re skulpturore që në mënyrë imagjinare i përgjigjet kontekstit të Klubit të Boksit.
Këto vepra ndeshen me funksionin e kujtesës, si personale ashtu edhe kolektive, dhe shprehjen e saj në piktura që duken edhe të njohura edhe të çuditshme. Idetë rreth traumës, shpresës, përballjes dhe lirisë shprehen në mënyrë implicite dhe poetike të përcjella në këtë seri të punëve, duke shfaqur interesimin e tij për botën e nëntokës psikologjike të Kosovës.

Duke pasur parasysh fuqinë e punës të secilit prej finalistëve, çmimi i këtij viti u debatua gjerësisht nga juria. Duke marrë parasysh të gjitha kriteret për çmimin, juria arriti në përfundimin se çmimi i këtij viti duhet t'i jepet Brilant Milazimi. Po ashtu, juria beson se në këtë fazë të zhvillimit të artistit, Milazimi do të përfitojë shumë nga konteksti që qëndrim dy-mujor në New York do të siguroj.

Ne i urojmë Brilant Milazimit suksese të mëdha në New York dhe për të ardhmen. Ne dëshirojmë të përgëzojmë të gjithë finalistët e këtij viti dhe të inkurajojmë shumë Laureta Hajrullahun dhe Shkamb Jakën, dhe të gjithë artistët nën moshën 35 vjeçare që punojnë në Kosovë që të vazhdojnë të jenë inovativ.

Çmimi “Artistët e së nesërmes” është çmim kyç dhe i pavarur i organizuar në bashkëpunim me Residency Unlimited në New York dhe The Trust for Mutual Understanding në New York.

Çmimi “Artistët e së nesërmës” 2020 organizohet nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë. Mbështetësit e çmimit “Artistët e së nesërmës” 2020 janë: Trust for Mutual Understanding (TMU), Residency Unlimited, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, Komuna e Prishtinës, x-print dhe DZG.