• Çmimi “Artistët e së nesërmes” 2022
Artistët e së nesërmes 2022

Stacion – Qendra per Art Bashkëkohor Prishtinë ka kënaqësinë të shpall të hapur Konkursin për çmimin “Artistët e së nesërmes” 2022 për artistët e rinj të Kosovës deri në moshën 35 vjeçare.

Ky çmim i rëndësishëm i pavarur organizohet në bashkëpunim me Residency Unlimited (RU) në Nju Jork dhe mbështetët nga The Trust for Mutual Understanding në Nju Jork.

Afati i fundit për aplikim është 1 tetor 2022.

Rezultatet e konkursit do të shpallen më së voni deri më 8 tetor 2022.

Fituesi/ ja i/e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2022 do të shpërblehet me qëndrim dy mujor në Nju Jork, SHBA, në programin rezidencial për artistë të Residency Unlimited (http://residencyunlimited.org/), gjatë periudhës maj/qershor 2023, dhe ekspozitë personale në kuadër të programit vjetor të ekspozitave të Stacion – Qendra per Art Bashkëkohor Prishtinë të vitit 2024.

Nëse obligimet tjera e pamundësojnë artistin/en të marrë pjesë në programin rezidencial gjatë kohës së specifikuar për qëndrim në SHBA, ata duhet të konsiderojnë të aplikojnë në edicionet e tjera.

Artistët që punojnë në fushën e artit bashkëkohor, që përfshijnë punën në pikturë, skulpturë, grafikë, vizatim, instalacion, fotografi, video, mediat e reja dhe art performativ inkurajohen të aplikojnë.

Artistët nuk mund të aplikojnë me punë në artet aplikative, dizajn, teatër, vallëzim dhe film artistik.

Procesi i Aplikimit

Aplikimi për çmimin “Artistët e së nesërmes” 2022 bëhet nëpërmes regjistrimit online, duke e plotësuar Formularin e aplikimit, dhe duke dërguar dokumentacionin e kërkuar nëpërmes formularit të aplikimit, që gjendet në web faqen e Stacion – Qendra per Art Bashkëkohor Prishtinë.

E drejta për t'u zgjedhur

Çmimi “Artistët e së nesërmes” është i krijuar për artistët e rinj deri në moshën 35 vjeçare.

Anëtarë të Jurisë së Çmimit “Artistët e së nesërmes” 2022 janë Anne Barlow, drejtoresha e TATE St Ives, Angli, Miljana Dunđerin, artiste, drejtoreshë e Qendrës Kulturore private "Akvarijus", Mitrovicë, Laura Raicovich, shkrimtare, kuratore, Nju Jork, Bernhard Rüdiger, artist, profesor në École Nationale des Beaux Arts në Lyon, Driton Selmani, artist, Kosovë.

Përshtatshmëria

Çmimi është i dedikuar vetëm për artistë deri në 35 vjeç.

Në konkursin për çmimin “Artistët e së nesërmes” 2022, mund të marrin pjesë artistët individual dhe artistët që punojnë në grup, puna e të cilëve i plotëson kriteret e çmimit “Artistët e së nesërmes”.

Programi i qëndrimit rezidencial mund të pranojë vetëm një artist për secilin shtet, brenda një viti.

Aplikuesit për çmimin “Artistët e së nesërmes” duhet të kenë qenë aktiv si artist në Kosovë gjatë së paku 3 viteve të fundit, të kenë 3-5 projekte - vepra referencë, dhe të kenë marrë pjesë në ekspozita të organizuara në institucione të artit, si galeri, qendra arti, muze, ose të kenë krijuar punë në hapësira publike.

Artistët që nuk kanë nënshtetësi kosovare duhet të jenë të njohur për kontributin e tyre në zhvillimet në skenën e artit në Kosovë në 3 vitet e fundit, dhe zhvilimi i tyre artistik duhet të ketë lidhje të konsiderueshme me Kosovën.

Artistët emigrantë duhet të jenë pjesë të komunitetit artistik të vendit dhe që kanë ekspozuar rregullisht në Kosovë së paku gjatë 3 viteve të fundit.

Mbështetësit kryesor të “Artistëve të së nesërmës” 2022 janë: Trust for Mutual Understanding (TMU), Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, Komuna e Prishtinës. Lista e plotë e donatorëve dhe partnerët bashkëpunues do të shpallet me kohë.