• Ekspozita e Finalistëve të çmimit "Artistët e së nesërmes" 2017
Ekspozita e Finalistëve të AeN 2017

Çmimi Artistët e së nesërmes 2017
Meriton Maloku, Jetullah Sylejmani, Enesa Xheladini

Kuruar nga Vala Osmani dhe Albert Heta
Arkitektura e ekspozitës nga Vala Osmani

03/11/2017 - 04/12/2017
Hapja: 03/11/2017, ora 20:00

Adresa: Klubi i Boksit, Mark Isaku 8, 10000 Prishtinë, Republika e Kosovës


Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë ka kënaqësinë të shpallë ekspozitën e finalistëve të çmimit Artistët e së nesërmes 2017.

Çmimi Artistët e së nesërmes është pjesë e programit që ndan çmimin për artistët e ri në fushën e arteve vizuele - YVAA (Young Visual Artists Awards) – pjesë e dhjetë çmimeve të ngjajshme të organizuara në Evropën Qendrore dhe atë Lindore me qëllim të mbështetjes së shfaqjes dhe zhvillimit të artit bashëkohor dhe shoqërisë civile.

Juria e çmimit Artistët e së nesërmes 2017, e përbërë nga Charles Esche, drejtori i Van Abbemuseum, Eindhoven, Erëmirë Krasniqi, studiuese dhe drejtoreshë e Oral History Kosovo, Nataša Petrešin-Bachelez, kritike e artit dhe kuratore e pavarur, Adrian Deva, artist dhe edukator arti dhe Renaud Proch, Drejtor Ekzekutiv i Independent Curators International (ICI), New York, ka përzgjedhur finalistët bazuar në kriteret e inovacionit, praktikave të fuqishme dhe interdisiplinare, meritat e portfolios artistike, arritjet e mëparshme, ekspozitat si dhe potenciali i demonstruar deri më tani.

Finalisti i parë i çmimit Artistët e së nesërmes 2017 është Meriton Maloku i cili ka befasuar jurinë me vizionin e ndërthurjes së tematikave më aktuale të përditshmërisë.

Meriton Maloku (*1989, Kosovë) jeton dhe vepron mes Antwerpit dhe Prishtinës. Ai ka studiuar artet e bukura në Royal Academy of Fine Arts në Antwerp dhe mban gradën e masterit në grafikë.

Puna e tij hulumtuese fokusohet në politikë, filozofi dhe në historinë e vetë artit. Në punën e tij zakonisht ai përdor përsëritjen, lojën dhe kohë pas kohe edhe humorin.
Ai punon me disiplina të ndryshme, me hapësirën mes shikuesit dhe veprës që mbetet problemi i tij kryesor.

Ekspozitat e fundit përfshijnë Guanlan Print Biennal Frist selektim/ publikim, Guanlan, Kinë, 2015; Gjon Mili International Price for Photography, Galeria Kombëtare e Kosovës, 2015; Split Graphics, Split, Kroaci, 2015; KOMASK Bachelor Price, KASKA, Antwerp, 2015; De Sokkel Van Teniers, Performancë, KASKA, Antwerp, 2016; Onderbrokenstad, intervenim, City hall, Antwerp, 2016; Folës në Friday’s death si kontribues në “Friday on your mind” nga DDV, Annie Gentils Gallery, Antwerp, 2016
Annihilation Event, Lethaby Gallery, Londër, 2017; “RAFA”, ASP, Katowice, Poloni, 2017; Boogie Woogie Wonderland, De Lange Zaal, Antwerp, 2017; Every day eggs, Performancë, KASKA, Antwerp, 2017; RAFA- departamenti i grafikës, Beograd, 2017; Ekspozita Silk Road , Xi’an, Kinë, 2017.

Vepra e Meriton Malokut e titulluar ‘Përmbyllje’ e shfaqur në ekspozitën e finalistëve të çmimit Artistët e së nesërmes 2017 është një një instalacion i përbërë prej dy pjesëve, brenda dhe jashtë, ‘dhomat’ dhe ‘portretet’. ‘Dhoma’ përmban në vete materiale të shtypura, vizatime, piktura dhe objekte. ‘Përmbyllje’ është një instalacion i instaluar në një instalacion tjetër. Maloku është përpjekur të krijoj një hapësirë të mbyllur, të vogël dhe klaustrofobike e cila në një moment të caktuar shëndrohet në dhomë. E mbushur me punë të cilat janë kryesisht dhoma. Kjo ‘dhomë’ është hapësira e tij ekspozuese, me muret e shtëpisë si galeri, me punët e gozhduara. Punët të cilat e përsërisin vetveten në mure, krijojnë një rreth vicioz dhe shprehin atmosferën e hapësirës nga e cila nuk mund të ikësh.

Finalistja e dytë është Enesa Xheladini, që dëshmon praktikë të theksuar vizuele, e shprehur në formë të skicave dhe shënimeve për skulptura dhe instalacione publike, e gjitha si rezultat i praktikës së saj në fushën e arkitekturës.

Enesa Xhelaidni (*1982, Kosovë) ka përfunduar gradën për MA në fushën e Dizajnit Urban dhe Akritekturës së Pejsazhit në Universietin Polis në Tiranë. Ajo ka qenë asistente kuratore dhe koordinatore për Pavilionin e Republikës së Kosovës në Bienalen e 14-të të Venedikut, - 14th International Architecture Exhibition, Rem Koolhaas - Venice Biennale (2014). Ka qenë pjesëmarrëse në “SESAM” (Small European Students of Architecture Meeting) e mbajtur në Romë, Itali (2009); Fituese e çmimit të dytë për dizajnimin e karriges Lounge Chair me materiale të ricikluara.

Vepra e saj e titulluar ‘..vijë, pikë, çarje!’, i filluar në vitin 2014, përbëhet nga 162 vizatime në fletore 12x9 cm. të vizatuara me pigment liner 0.05. Zgjidhja kuratoriale dhe e arkitekturës së ekspozitës së çmimit Artisët e së nesërmes 2017, e krijuar gjatë procesit dhe bashkëpunimit me artisten, përfshinë dhe fokusohet në vizatimet e zgjedhura, katër notesa shtesë me shënime të përditshme, zërin e izoluar nga video dokumentimi i vizatimeve me gjatësi 09’08”, të vendosura në vitrinë të dizajnuar specifikisht për instalacionin me dimensione 198x98x100 cm.

Në fund të përshkrimit per procesin dhe veprën, Xheladini shkruan: “Konceptet e mija janë multi-dimenzionale (andaj quhen koncepte dhe jo vizatime) dhe kanë një kompleksitet të shprehjeve, si: a) Skulptura me përmasa monumentale; b) Objekt i kulturës në formë të vezës; c) Llogo Dizajne (p.sh. koncepti “KOPSHTI”; d) Dizajne për kopertina librash; e) Dizajne të bizhuterive; f) Dizajne tekstili g) Tattoos, h) Produkt Dizajne –Ndriqime (p.sh. konceptet me pika) ..
Në thelb, konceptet përveq që më kanë ndihmu me e njoft vetvehten, përmes tyre arrita me e kuptu monumentalitetin e Alvaro Siza-s, ndjenjat e Peter Zumthor-it, dhe fjalët e Juhani Pallasmaa-s, dhe duart e shpirtin e Constantin Brâncuși-t, dhe fuqinë (simbolikën) e Louis Kahn-it; detalet e Carlo Scarpa-s, kujdesin e Isamu Noguchi-t, ngjyrat e Luis Barragan-it, dhe shijen e Gilo Dorfles-it, dhe feminitetin e Lina Bo Bardi-t, peshën dhe elegancën e Oscar Niemeyer-it; pastertinë e Mies Van Der Rohe-s, dhe të lehtën e Toyo Ito's (po mendoj volumet pa peshë).. arrita me ja kuptu Peter Zumthor-it ritmin poetik, inteligjencën e sinqertë Christopher Alexander-it, guximin.. e Zaha Hadid-it, këmbënguljen e Ludwig van Beethoven-it , Genius Loci-n e Christian Norberg-schulz –it, prekjen e Lucio Fontana-s, emocionet e Pina Bausch-it dhe dashurinë e Gottfried Böhm-it.”

Finalisti i tretë është Jetullah Sylejmani që hulumton pyetjet civilizuese mbi burimet, luftën dhe demokracinë në një mënyrë të theksuar ambicioze vizuele.

Jetullah Sylejmani (*1985, Kosovë) ka diplomuar për filozofi dhe pikturë në Universitetin e Prishtinës. Aty ka përfunduar edhe studimet Master për pikturë. Aktiviteti artistik i Sylejmanit paraqet një vështrim reflektues të vazhdueshëm si dhe përpjekje për të kundërshtuar situatën aktuale dhe problemet thelbësore të shoqërisë. Në 2017ën Jetullah Sylejmani është ftuar për rezidencë artistike në Cittadelarte / Fondacioni Pistoletto - Biella në Itali dhe Art House në Shkodër, nën udhëheqjen e Adrian Pacit.
Ekspozitat e fundit përfshijnë: “Artistët e rinj”, Galeria Kombëtare e Kosovës – GKK, 2017; Biennale des Jeunes Créateurs de l’Europe et de la Méditerranée, 2017; “Artistët e rinj”, Galeria Kombëtare e Kosovës – GKK, 2016, Çmimi Artistët e së nesërmes 2014, Galeria Kombëtare e Kosovës – GKK; Ekspozitë në Gallery Art-Villamagna – Ville-la-Grand, Francë, 2014; La Galleria Arte Maggiore - Associazione Culturale “ICREATTIVI”. RioneMonti, Romë, Itali, 2014; Albanska Udruga Šibenske-Kninske, Kroaci, 2013; Mother Theresa, Biblioteka Editrice Vaticana, Romë, Itali, 2012.

Siç edhe dihet socrealizmi ishte arti zyrtar i shteteve komuniste, për të “edukuar” dhe “emancipuar” masat, ku sistemi, me synime prapaganduese, determinonte punën e artistit që të “pasqyronin realitetin” për të krijuar iluzionin e zhvillimit dhe progresit shoqëror, ku imazhi fals, zëvendëson atë real.

Për ekspozitën e finalistëve të çmimit Artistët e së nesërmes 2017, Sulejmani ka krijuar vepër te re. Socexpressionism, kollazh me pjesë të pikturave socrealiste, UV shtyp në pëlhurë, 2 x 200 x 160 cm, 2017, është krijuar me pjesë nga pikturat e socrealizmit shqiptar, të futura në një proces të postproduksionit digjital, duke ndërhyrë në kohë dhe duke shpërfaqë me ‘dhunë’ nga socrealizmi shqiptar atë që ai nuk e kishte. Arti modern i shek XX, në rrethana të tilla shoqërore dhe politike, konsiderohej dekadent dhe kërcnim për shoqërinë dhe rendin politik, si edhe liria a shprehjes, liria për kërkim jashtë kornizave të pushtetit ideologjik duke përdorur ekspresionizmin, kubizmin, dadaizmin e tij.

Çmimi Artistët e së Nesërmes është çmim kyç dhe i pavarur i organizuar në bashkëpunim me Residency Unlimited në New York, mbështetur nga The Trust for Mutual Understanding në New York dhe sponsorët kryesor të Çmimit Artistët e së nesërmes në Kosovë, Raiffeisen Bank në Kosovë dhe Ambasada e SHBA-së në Kosovë.

Çmimi Artistët e së Nesërmes është një projekt unik që u ofron artistëve të rinj në fushën e arteve vizuele nën moshën 35 vjeçare mundësinë e krijimit të veprave të reja artistike, të jenë pjesë e procesit të kuruar edukativ, të kenë mundësinë e takimeve dhe prezentimeve para një jurie ndërkombëtare të përbërë nga profesionistë të njohur botërisht, të kenë ekspozita të përbashkëta me finalistët, të kuruara nga ekipi kuratorial i Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë si dhe të bëhen pjesë e rezidencës artistike në SHBA, që të përjetojnë dinamikën e skenës artistike të New York-ut gjatë dy muajve të rezidencës artistike në Residency Unlimited.

Fituesit e Çmimi Artistët e së Nesërmes pas kthimit të tyre nga SHBA-të kanë ekspozitën e tyre personale në Stacion - Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë, si pjesë e programit të ekspozitave të institutcionit dhe të programit Çmimi Artistët e së nesërmes.

Çmimi Artistët e së nesërmes është pjesë e Young Visual Artists Awards program – rrjeti i dhjetë çmimeve të ngjajshme të organizuara nëpër Evropën Qëndrore dhe atë Lindore të themeluar në vitin 1989 në Çekosllovaki nga presidenti Vaclav Havel dhe artistë disident me qëllim të mbështetjes së shfaqjes dhe zhvillimit të artit bashëkohor dhe shoqërisë civile.

Qëllimi i presidentit Havel, Wendy W. Luers, organizatorëve të SHBA-së dhe themeluesëve ishte që artistët e rinj të shpërblehen me një rezidencë në SHBA – duke i ekspozuar ata në botën e jashtme – si dhe të nënvizohet roli i kulturës në demokratizim dhe shoqërinë civile. Për këtë qëllim ata kanë themeluar një garë vjetore të hapur dhe transparente që vlerësohet nga një juri e pavarur dhe që ndërrohet çdo vit, e pastër nga nepotizmi dhe favorizimet. Ky mision themelues dhe kornizë pragmatike – promovimi i artit bashkëkohor, njohja dhe shpërblimi i përsosmërisë artistike, përshpejtimi i shkëmbimit ndër – kulturor dhe ndërtimi i kapacitetit të OJQ-ve artistike lokale dhe shoqërisë civile – është gjithashtu një udhërrëfyes për Stsacion - Qendra për Art Bashkëkohor Prishtënë gjate implementimit të
çmimit Artistët e së nesërmes në Kosovë.

Në vitin 2015 Residency Unlimited (RU) u bë zyrtarisht mikpritësi i programit Young Visual Artists Awards (YVAA) program në Shtetet e Bashkuara. Në shtator të vitit 2015, Stacion - Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë është ngarkuar të marë përsipër çmimi Artistët e së nesërmes në Kosovë, duke nisur me ciklin e parë në vitin 2016 si dhe të ndërtojë dhe të çojë përpara trashëgiminë e këtij çmimi.

Në vitin 2017 Bordi i the Trust for Mutual Understanding aprovoj kërkesën e Stacion - Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë qê çmimi Artistët e së nesërmes të kthehet në program qê organizohet çdo vit në Kosovë. Në vitin 2014 organizatorët e programit YVAA kishin vendosur qê çmimi Artistët e së nesërmes të organizohet çdo të dytin vit.

Stacion - Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë synon të rris potencialin e çmimit Artistët e së Nesërmes dhe të bëjë çmimin me ndikim në zhvillimet e përgjithshme të artit bashkëkohor në gjithë territorin e Kosovës.

Fituesi i Çmimi Artistët e së Nesërmes në Kosovë do të shpallet nga juria më 4 Dhjetor 2017.

Sponsorët kryesor për Çmimi Artistët e së nesërmes në Kosovë janë Raiffeisen Bank in Kosovo dhe Ambasada Amerikane në Kosovë. Çmimi Artistët e së Nesërmes sponsorizohet edhe nga Zyra e Kryetarit të Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe DZG.