Stacion - Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë
Çmimi "Artistët e së nesërmes" 2022: Ecje nëpër ekspozitë me Mimoza Sahiti, Valdrin Thaqi, Agrina Vllasaliu
E enjte, 1 dhjetor 2022, ora 19:00
Adresa: Klubi i Boksit, Mark Isaku 8, 10000 Prishtinë, Republika e Kosovës
Stacion - Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë ka kënaqësinë të ftojë publikun për një ecje dhe bisedë nëpër ekspozitën e Çmimit "Artistët e së nesërmes" 2022 me artistët finalist me Mimoza Sahiti, Valdrin Thaqi, Agrina Vllasaliu.
Ngjarja synon të krijojë hapësirë për diskutim me publikun në lidhje me punët dhe praktikën artistike të artistëve finalist të Çmimi "Artistët e së nesërmes" 2022, hulumtimin, përvojën e tyre gjatë procesit dhe lidhjen e ekspozitës me dimensione të tjera shoqërore.
Shpallja e fituesit të Çmimit "Artistët e së nesërmes" 2022 do të bëhet me 3 dhjetor ora 19:00.
Çmimi “Artistët e së nesërmes” është një projekt unik që u ofron artistëve të arteve pamore nën moshën 35 vjeçare mundësinë të krijojnë vepra të reja, të bëhen pjesë e një procesi specifik që përfshinë vlerësimin e veprave dhe artistëve nga një juri kredibile ndërkombëtare, mundësi që të bashkëpunojnë me ekipin kuratorial të Stacion - Qendrën për Art Bashëkohor Prishtinë dhe të marrin pjesë në ekspozitën vjetore të finalistëve të çmimit “Artistët e së nesërmes” edhe të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të përjetojnë dinamikën e skenës artistike të Nju Jork-ut, për dy muaj qëndimi në Residency Unlimited. Pas kthimit nga SHBA artistët fitues bëhen pjesë e programit vjetor të Stacion- Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë me ekspozitën personale që shfaqet në Klubin e Boksit në Prishtinë.
Juria e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2022 e përbërë nga Anne Barlow, drejtoresha e TATE St Ives, Miljana Dunđerin, artiste, drejtoreshë e Qendrës Kulturore private "Akvarijus", Laura Raicovich, shkrimtare, kuratore, Bernhard Rüdiger, artist, profesor në École Nationale des Beaux Arts në Lyon, Driton Selmani, artist, ka zgjedhur tre finalistët e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2022, Mimoza Sahiti, Valdrin Thaqi, Agrina Vllasaliu.
Finalistja e parë është Mimoza Sahiti, ajo ka lindur dhe është rritur në Offenbach të Gjermanisë. Ajo ka studiuar ekonomi deri në vitin 2018 dhe ka filluar studimet për pikturë në akademinë e arteve të bukura në Vjenë që nga tetori i vitit 2022. Gjatë studimeve të para për ekonomi ka filluar të pikturojë me aril dhe një vjet pikturon me vaj në një eksperiment jotradicional dhe në mënyrë të improvizuar. Gjatë qëndrimit të saj në Kosovë nga viti 2020 - 2022 ajo ka ekspozuar në disa hapësira në Prishtinë, Gjilan dhe ka marrë pjesë në Manifesta 14, në muzeun e artit bashkëkohor të Sofjes, Bullgari dhe tashmë është pjesë e koleksionit në Galerinë Kombëtare të Prishtinës.
Punimet e papërpunuara dhe të gjalla të Mimoza Sahitit sfidojnë konvencionet tradicionale në pikturë. Duke transmetuar një zemërim të caktuar përmes vetë sipërfaqes së bojës, puna e saj pasqyron një feminizëm të ashpër që mbështet qasjen e saj ndaj kapitalizmit, identitetit, traumës personale dhe kolektive. Në përshkrimet e saj të figurës njerëzore, një ndjenjë frike dhe cenueshmërie pasqyron shqetësimet e saj rreth statusit të gruas në shoqëri dhe natyrës së pasigurt të ekzistencës njerëzore në përgjithësi.
Finalisti i dytë është Valdrin Thaqi i lindur në vitin 1994, në Skenderaj. Diplomoi në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, në vitin 2019, dega e piktures. Praktika e tij artistike përfshin, pikturen, skulpturen dhe artin konceptual. Thaqi, dha një kontribut të madh në skenën e artit kosovar, përgjatë 5 viteve të fundit. Ishte fitues i dy cmimeve prestigjioze: Cmimi i parë në bienalen Muslim Mulliqi (2018) dhe Cmimi i parë Artistët e rinj (2019). Në fund të vitit 2020 u shpërngul në Berlin, ku dhe sot jeton dhe vepron në mes Berlinit dhe Prishtinës.
Ekspozitat e përzgjedhura: Pleasures, Bazament Art Space, Tirane(2022)/ Manifesta 14 (2022)/ Internal, Hapësira Room 5 - Open Studio (2022)/ Bazuar në ngjarje të vertetë,Galeria kombetare e Arteve, Prishtinë (2021)/ Tongue follows the toothache, Galeria Green Hill, Berlin (2021)/ Nothing Like Home, Galeria LambdaLambdaLambda, Prishtinë (2021)/Galeria Weserhalle, Berlin (2021)/Rezidenca GlogauAir, Berlin (2020)/ Cmimi Artistët e rinj, Galeria kombëtare e Arteve, Prishtinë (2019)/ Bienalja Gjon Mili, Imazhe mes fakteve dhe trillimeve, Galeria kombëtare e Arteve, Prishtinë (2019)/ Bienalja Muslim Mulliqi, Galeria Kombëtare e Arteve, Prishtinë (2018)/ It’s been a while since I saw a cloud in the sky, Galeria Motrat, Prishtinë (2018)/ Pristine Blind date, Termokiss, Prishtinë (2018)/ Therapy (2017), External (2018), On Sale (2022) Intervenime publike me grupin HAP.
Duke përfshirë pikturën, skulpturën, instalacionin dhe ndërhyrjet e llojeve të ndryshme, vepra e Valdrin Thaqit është e frymëzuar nga filozofia dhe ekzistencializmi, dhe ajo që artisti i sheh si absurditete që rrjedhin nga proceset, gjendjet dhe ngjarjet në jetën e përditshme. Puna e tij aktuale fokusohet në ndikimin e njeriut në mjedis, shkrirjen e inteligjencës natyrore dhe artificiale dhe dilemat morale dhe etike që lindin në lidhje me modifikimin gjenetik.
Finalistja e tretë është Agrina Vllasaliu, ka lindur më 8 gusht 1990 në Prishtinë, por është rritur në Berlin të Gjermanisë që kur ishte dy vjeç. Nga viti 1991 deri në vitin 1992, prindërit e saj vendosën të largohen për një kohë nga Kosova për shkak të situatës kritike. Kur situata në Kosovë u përkeqësua dhe shpërtheu lufta në vitin 1998, shpejt u bë e qartë se kthimi nuk ishte një opsion për atë kohë. Pavarësisht përvojës së luftës nga larg, prindërit e Agrinës u ndikuan nga kjo ngjarje. Në fëmijërinë e hershme, ajo përjetoi pafuqinë e prindërve përballë luftës dhe se si ndodhi kjo rrethanë paralelisht me jetën e tyre të përditshme në Gjermani. Jeta e saj në Gjermani u ndikua shumë nga rritja mes kulturës shqiptare dhe asaj gjermane. Në moshën e shkollës fillore, Vllasaliu ka vijuar shkollën gjermane dhe një herë në javë edhe atë shqipe në Berlin, e cila më së shumti organizohej nga njerëz të ikur nga Kosova, për t'u dhënë brezave të rinj lidhje me gjuhën dhe kulturën. Që në moshë të re, asaj iu bë e qartë se ajo e shihte profesionin e saj në fushën krijuese dhe artistike. Pas mbarimit të shkollës së mesme në vitin 2010, ajo punoi në aplikimet e saj në universitetet e artit në Gjermani dhe filloi studimet e saj për art në Universitetin e Arteve (UDK) në 2011/12 në kombinim me studimet e gjeografisë në Universitetin Humboldt (HU) në Berlin. .
Në UDK, ajo studioi që në semestrin e tretë në klasën e Ursula Neugebauer, ku u diplomua me magjistraturë në fund të prillit 2022. Në klasën e Ursulës ata studiuan strategjitë konceptuale të artit dhe perceptimin e hapësirës me media të përziera. Së bashku me studentët dhe pedagogët në ndryshim si Clemens Krauss (mjek dhe artist mjekësor), Frederick Foert (artist), Thorsten Goldberg (artist në hapësirën publike) dhe Wiebke Hahn (kurator), ata organizuan një sërë ekspozitash dhe shkëmbimesh me klasa të tjera. Përveç ekspozitave të rregullta dhe vjetore në fund të semestrit në objektin e UDK-së, ata realizuan projekte dhe ekspozita të përbashkëta në Berlin, Vjenë dhe Shangai.
Jashtë ekspozitave në klasë, ajo ka marrë pjesë në projekte të ndryshme në Berlin, Hildesheim dhe Vjenë në vitet e fundit, ku janë ekspozuar disa nga punimet e saj më të fundit, të cilat fokusohen kryesisht në fushën e diskurseve feministe. E ndikuar nga rritja mes dy kulturave, ajo eksploron kërkimin e identitetit dhe shtëpisë, çështjen e rolit të gruas dhe pyetjen e vazhdueshme të normave. Punimet e saj luhaten mes pikturës, skulpturës dhe instalacionit.
Agrina Vllasaliu i konsideron nocionet e shtëpisë dhe atdheut nga perspektiva diasporike. Në veprën e saj, temat e zhvendosjes, mallit dhe kujtesës hulumtohen përmes referimeve ndaj historive gojore dhe folklorit, si dhe të brendshme të imagjinuara shtëpiake. Një humor i caktuar përshkon gjithashtu disa prej veprave të saj, duke krijuar një intimitet të dukshëm me shikuesit e saj, ndërsa në të njëjtën kohë fsheh një ankth më të errët pas gjestit feminist.
Fituesi i çmimit “Artistët e së nesërmes” 2022 do të shpallet me 3 dhjetor 2022 në Klubin e Boksit në Prishtinë, dhe mbyllja e ekspozitës së finalistëve të “Artistët e së nesërmes” 2022 do të jetë me 10 dhjetorë 2022.
Fituesi/ ja i/e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2022 do të shpërblehet me qëndrim dy mujor në Nju Jork, SHBA, në programin rezidencial për artistë në Residency Unlimited, gjatë periudhës prill/maj 2023, dhe ekspozitë personale në kuadër të programit vjetor të ekspozitave të Stacion – Qendra per Art Bashkëkohor Prishtinë të vitit 2024.
Çmimi “Artistët e së nesërmes” është çmimi kryesor për art për artistët e rinj bashkëkohor në Kosovë i organizuar në bashkëpunim me Residency Unlimited në New York dhe The Trust for Mutual Understanding në New York.
Qëllimi i çmimit "Artistët e së nesërmes", i organizuar në Kosovë nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë, është që të ofrojë mbështetje artistëve të rinj dhe të lehtësoj vazhdimin e punës së tyre duke i zhvendosur ata nga një rol i margjinal në një rol qendror në shoqëri.
Çmimi “Artistët e së nesërmes” është pjesë e programit të çmimeve për artistët e rinj pamor - YVAA (Young Visual Artists Awards) – që është një rrjet i dhjetë çmimeve të ngjashme nga Evropa Qendrore dhe Lindore, dhe i cili u themelua në vitin 1989 në Çekosllovaki nga Kryetari Vaclav Havel, Wendy Luers dhe artistët disidentë, që kishin për qëllim përkrahjen e ngritjes dhe zhvillimit të artit bashkëkohor dhe shoqërisë civile.
Qëllimi i Kryetarit Havel, organizatorëve dhe themeluesëve të Çmimeve YVAA ishte të shpërblejnë artistët e rinj me një rezidencë artitike në SHBA, dhe për t’i ekspozuar ata në botën jashtë vendeve të tyre dhe për të teksuar rolin e kulturës në demokratizimin e shoqërisë dhe rolin e kulturës në shoqërinë civile. Ata themeluan një garë transparente dhe të hapur vjetore, që vlerësohej nga juritë e pavarura dhe që ndrroheshin, pa nepotizëm dhe favorizim. Ky mision themelues dhe kjo kornizë programore, për të përkrahur artin bashkëkohor, për të njohur dhe shpërblyer ekselencën artsitike, për të ngjizur shkëmbimin kulturor dhe për të ndërtuar kapacitetin e institucioneve të pavarura të artit dhe shoqërisë civile, janë edhe udhërrëfyes për Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë për organizmin e çmimit “Artistët e së nesërmes”.
Në vitin 2015, Residency Unlimited (RU) u angazhua si organizator i programit YVAA dhe nikoqir i programit rezidencial në Nju Jork. Në shtator të vitit 2015, Stacion – Qendra për Art Bashkëohor Prishtinë është ftuar për të marrë përsipër organizmin dhe udhëheqjen e çmimit “Artistët e së nesërmes” në Kosovë, duke filluar me edicionin e parë të vitit 2016.
Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë synon të rrisë potencialin dhe ndikimin e çmimit “Artistët e së nesërmes” në zhvillimit e gjithmbarshme në artin bashkëkohor, në tërë territorin e Kosovës.
+
Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë
Çmimi "Artistët e së nesërmes" 2022
Puna kuratoriale: Albert Heta dhe Vala Osmani
Arkitektura e ekspozitës: Vala Osmani
09/11/2022 - 10/12/2022
Shpallja e fituesit: 03/12/2022, ora: 19:00
Mbështetësit kryesor të çmimit “Artistët e së nesërmës” 2022 janë: Trust for Mutual Understanding (TMU), Komuna e Prishtinës, x-print, DZG, SYRRUSH dhe Vidasus.