• Shkolla Verore si Shkollë 2021: Kursi 8
Kursi 8: Leximi i Qytetit përmes shenjuesëve
Kursi 8: Leximi i Qytetit përmes shenjuesëve
Kurs nga Florina Jerliu
9 – 14 gusht, 2021
2 ECTS kredi

Afati për aplikim është deri me 11 korrik 2021.

Përshkrimi i kursit
Ky kurs i afrohet qytetit përmes prizmit të pikave referuese në mënyrë që të analizojë se si qasja dhe kuptimi ynë për to prodhon njohuri për vendin, historinë e tij, shoqërinë, kulturën dhe vetveten. Për qëllim të detyrës hulumtues, kursi do të përdorë shembullin e pikave referuese të Prishtinës; studentët do të mësojnë se si të kryejnë vëzhgime të organizuara duke përdorur një instrument specifik (Pyetësori i Kartës Ename të ICOMOS) të siguruar nga mentori, i cili do t'u mundësojë atyre të identifikojnë fushën dhe shtrirjen e asaj që pikat referuese komunikojnë për veten e tyre (kuptimi, vlerat). Duke vepruar kështu, ne do të nxjerrim në plan të parë praktikat dhe produktet kulturore përmes të cilave interpretohet dhe përfaqësohet qyteti, dhe përmes të cilave shprehet çështja e identitetit urban

Biografia
Florina Jerliu është profesoreshë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Ajo ligjeron kurse të artit dhe historisë arkitektonike, teorisë dhe trashëgimisë në Fakultetin e Arkitekturës dhe Estetikën e Hapësirës në Fakultetin e Arteve të Bukura.

Jerliu mbanë diplomë si Inxhiniere Diplome të Arkitekturës nga Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Arkitekturës, Universiteti i Prishtinës (1996), Master në Arte nga Fakulteti i Arteve, Universiteti i Prishtinës (2003), dhe doktoraturë në arkitekturë dhe urbanizëm nga Universiteti i Sarajevës (2014).

Ajo është bashkëthemeluese dhe kryetare e fondacionit për arkitekturën dhe urbanizmin Archis Interventions Prishtina (pjesë e Rrjetit Archis së bashku me Archis Interventions Amsterdam dhe Archis Interventions Berlin); bashkëthemelues dhe anëtar i Bordit të think-tank-it Iniciativa e Stabilitetit të Kosovës; anëtar i ICOMOS (që nga viti 2017), anëtar i Këshillit Shtetëror për Njohjen (e diplomës dhe kualifikimeve të huaja, nga viti 2020), anëtar i Bordit të Institutit Arkeologjik të Kosovës. Në vitet 2015-18 ajo ka vepruar si anëtare e Bordit të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve; në 2003-2008 ajo mbajti postin e Presidentes së Shoqatës së Arkitektëve të Kosovës. Jerliu është aktiv në fushën e trashëgimisë kulturore në Kosovë përmes pjesëmarrjes si anëtar në komisione dhe juri të ndryshme të emëruar nga Ministritë e Kosovës (MYSC, MASHT).

Jerliu është autore e tekstit të Strategjisë Kombëtare për Trashëgiminë Kulturore të Kosovës 2017-2027 të miratuar nga Qeveria e Kosovës, dhe autore / projektuese e parkut të parë kombëtar arkeologjik në Kosovë: Parku Arkeologjik Ulpiana. Ajo është autore e librave: Ruajtja e trashëgimisë së ndërtuar (2016) dhe Trashëgimia kulturore e Kosovës: Konceptet dhe kontekstet e mbrojtjes (2017); dhe autore dhe bashkëautore i një numri punimesh shkencore të botuara në revista ndërkombëtare dhe lokale.

Florina Jerliu ishte pjesë e grupit punues për krijimin e Ekspozitës së Përhershme të Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe një bashkëautor i dizajnit të brendshëm të ekspozitës (inauguruar në Shkurt 2018). Ajo është laureate e Çmimit Vjetor për Kontribut Shkencor në fushën e Trashëgimisë Kulturore "Zef Mirdita" (2018) dhënë nga Ministria e Kulturës e Kosovës.

Pjesëmarrja
10 pjesëmarrës do të zgjedhen për këtë kurs. Pjesëmarrësit e interesuar duhet t’i lexojnë kushtet e përgjithshme për regjistrim, ta plotësojnë Formularin e aplikimit, ta bashkangjesin dokumentacionin e kërkuar dhe ta dergojnë nëpërmes sistemit online. Aplikimet me dokumentacion të munguar nuk do të shqyrtohen. Pjesëmarrësit mund të marrin pjesë në më shumë se një kurs.

Programi ofron bursa për pjesëmarrësit e zgjedhur nga Kosova. Një numër i kufizuar i bursave, që mbulojnë pagesën për pjesëmarrje, janë në dispozicion për pjesëmarrësit nga vendet e tjera.