• AFER-A
Moduli 3

Moduli 3 i Programit AEFR-A është dizajnuar për të krijuar mundësi zhvillimi dhe trajnimi për 4 udhërrefyes dhe ndihmës teknik të rinj për ekspozitën e përhershme në Muzeun e Artit Amerikan në Prishtinë dhe programin e punës të Stacion - Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë. Moduli 3 për individët e interesuar, studentët e arteve të bukura dhe aplikative, dhe profesionistët e rinj krijon mundësi që me anë të programit të fitojnë njohuri, shkathtësi dhe eksperiencë të re që do t’i ndihmoj në karrierën e tyre dhe në tregun e punës. Trajnimi për udhërrëfyes për ekspozitën e përherëshme në Muzeun e Artit Amerikan në Prishtinë fillon me njohjen me ekspozitën e përherëshme, aftësimin për komunikim dhe dialog, si të nxisim kureshtjen dhe hapim sytë dhe mendjet e vizitorëve të Muzeut.

Një Udhërrëfyes Muzeu në Muzeun e Artit Amerikan në Prishtinë është një vullnetar i trajnuar, apo i angazhuar, i cili lehtëson mësimin në Muze dhe krijon një ndjenjë mirëseardhjeje dhe përkatësie për vizitorët e të gjitha moshave.

Pjesëmarrësit në këtë modul programit AFER-A do të mësojnë tregimin dhe historinë e Muzeut të Artit Amerikan në Prishtinë me ekipin e Stacion - Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë, kuratoren Jelena Vesiq dhe rojen e Salon de Fleurus në Nju Jork të cilët do të punojnë me pjesëmarrësit dhe t’i pregadisin me njohuritë, aftësitë dhe shkathtësitë e duhura.

Muzeu i Artit Amerikan është insitucion edukativ dedikuar mbledhjes, ruajtjes dhe ekspozimit të kujtimeve kryesisht për Muzeun e Artit Modern në Nju Jork dhe programit Internacional të Ekspozitave Qarkulluese të Artit Amerikan. Janë pikërisht këto ekspozita të MoMA, disa prej të cilave janë kuruar nga Dorothy Miller, që ndihmuan krijimin e identitetit të parë të përbashkët kulturor të pasluftës në Evropën Perendimore, identitet që bazohej në internacionalizëm, modernizëm dhe individualizëm.

Ekspozita e përhershme në Muzeun e Artit Amerikan në Prishtinë përbëhet nga dy pjesë. Njëra pjesë ka të bëjë me historinë para Luftës së Dytë Botërore të Muzeut të Artit Modern. Pjesa e dytë ka të bëjë me dy dekadat e para pas Luftës së Dytë Botërore dhe shfaqjen e artit amerikan në skenën botërore me ekspozitat e MoMA të Artit Amerikan mes viteve 1946-1956.

Muzeun e Artit Amerikan në Prishtinë është themeluar në vitin 2016 nga Stacion - Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë në bashkëpunim me Muzeun e Artit Amerikan në Berlin.