Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë ka kënaqësinë të shpallë konkursin për Çmimin Artistët e së nesërmes 2024.
Afati i fundit për aplikim për çmimin është 20 shtator 2024.
Çmimi Artistët e së nesërmes është çmim prestigjioz i artit bashkëkohor për artistët e rinj i mbajtur në Kosovë nga viti 2002, që organizohet nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë në bashkëpunim me Residency Unlimited në Nju Jork dhe mbështetet bujarisht nga The Trust for Mutual Understanding (TMU) në Nju Jork.
Artistët që punojnë në artin bashkëkohor, duke përfshirë mediat eksperimentale, video, instalacion, performancë, fotografi, pikturë, skulpturë, grafikë dhe vizatim inkurajohen të aplikojnë. Artistët nuk kanë të drejtë të aplikojnë me punë në artet aplikative, si dizajni, teatri, vallëzimi dhe filmi.
Tre finalistët e përzgjedhur për Çmimin Artistët e së nesërmes 2024 do të shpallen jo më vonë se data 27 shtator 2024.
Ekspozita e tre finalistëve do të hapet më 1 nëntor 2024.
Fituesi i Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 do të shpallet më 7 dhjetor 2024.
Fituesit do të shpërblehet me rezidencë artistike dy mujore në Nju Jork, SHBA, në Residency Unlimited (http://residencyunlimited.org/) në maj/qershor 2025 dhe do t’i ofrohet realizimi i një ekspozite personale në kuadër të programit vjetor të Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë në 2026/2027.
Nëse angazhime të tjera e pengojnë artistin të marrë pjesë në rezidencën në Nju Jork brenda kornizës kohore të parashikuar, ai/ajo/ata duhet të konsiderojë aplikimin për çmimin në edicionet e ardhshme.
Procesi i aplikimit
Aplikimi për Çmimin Artistët e së nesërmes 2024 bëhet online, përmes plotësimit të formularit të aplikimit dhe dërgimit të dokumentacionit të kërkuar përmes formularit të aplikimit në ueb faqen e Stacion - Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë.
Procesi i përzgjedhjes
Tre finalistët dhe fituesi i Çmimit Artistët e së nesërmes do të përzgjidhen nga juria e Çmimit Artistët e së nesërmes 2024, e nominuar nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë.
Anëtarë të Jurisë së Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 janë Julieta Aranda, Miljana Dunđerin, Vjollca Krasniqi, Alper Turan and Lulzim Zeqiri.
E drejta për t’u zgjedhur
Çmimi është i dedikuar vetëm për artistë deri në 35 vjeç.
Të drejtë për të aplikuar në Çmimin Artistët e së nesërmes kanë artistë individualë dhe artistë që punojnë në grupe që plotësojnë kriteret e çmimit. Programi i rezidencës në SHBA mund të mbështesë vetëm një artist individual për çdo vend, edhe nëse fituesit janë artistë që kanë aplikuar si grup.
Aplikuesit duhet të kenë qenë aktiv si artist së paku gjatë 3 viteve të fundit në Kosovë, të kenë 3-5 projekte të dalluara dhe të kenë ekspozuar në institucione të artit si galeri, qendra arti, muze apo hapësira publike.
Artistët që nuk kanë nënshtetësi kosovare duhet të jenë të njohur për kontributin e tyre në zhvillimet në skenën e artit në Kosovë në 3 vitet e fundit, dhe zhvilimi i tyre artistik duhet të ketë lidhje të konsiderueshme me Kosovën.
Artistët emigrantë duhet të kenë njohuri për tendencat dhe zhvillimet artistike të vendit dhe të kenë ekspozuar në Kosovë në 3 vitet e fundit.
Mbështetësi kryesor i Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 është Trust for Mutual Understanding (TMU).
Çmimi Artistët e së nesërmes 2024 mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, Komuna e Prishtinës.
Lista e plotë e donatorëve dhe partnerëve të bashkëpunimit për Çmimin Artistët e së nesërmes 2024 do të shpallet në kohën e duhur.