• Alban Muja: Distancë
Distancë

Distance
Alban Muja

Curatorial ass. by Albert Heta

Hapja: 11 Prill 2007, ora 20:00
11- 28 Prill, 2007

“Windows seat” është një seri vizatimesh që i ka bërë Alban Muja gjatë udhëtimeve të tij me avioni në Shtetet e Bashkuara, vitin e kaluar. “Përshtypja ime e parë për Amerikën nga lartësia mbi 10 mijë metra, kur po i afroheshim këtij kontinenti, ishte se po shihja një punë artistike.” I ulur pranë dritares Alban Muja po shihte ravijëzimin e linjave të çuditshme, herë të drejta, dhe herë të thyera, sikur të vizatuara me dorën e ndonjë fëmije lozonjar. Një vijë e trashë në horizontit po e kufizonte detin nga toka dhe, njëkohësisht, dritën nga errësira. Ishte sikur një garë e ujit me tokën për të zënë sa më shumë hapësirë. Herë toka futej thellë në det, ose krijonte vargje ishujsh, e herë deti depërtonte larg në brendi të tokës ku shpesh puqej me vijat gjarpërore të lumenjve që vinin nga fundi i horizontit krejt të errur. Albani kishte pranë një marker të zi dhe ca fleta dhe filloi ti bënte shënime kroki të këtyre kompozicioneve. Më vonë, kur avioni lëvizte mbi zonat e banuara, atij i dolën përpara edhe trajtat e shumta gjeometrike të botës së urbanizuar që secila veç e veç synonin që të ishin të rregulluara, por që si shumësi edhe ato krijonin kompozicione abstrakte. “Po shihja herë forma të abstraksionit ekspresiv, herë të abstraksionit gjeometrik.” Në të dy rastet përplaseshin stuhitë krijuese, o të Natyrës (ose, nëse doni, Zotit), o të Njeriut. “Më pas, për çdo udhëtim tjetër nga Lindja në Perëndim të Amerikës, ose mbrapsht, kërkoja gjithnjë që ta kem ulësen pranë dritarës, “Windows Seat”. Dhe mbusha bllokun tim me vizatime të Amerikës si duket nga lartë.”

Shkelzen Maliqi