Baby (revolution) comeback
Ekspozitë dhe konferencë
Felix Gmelin: ‘Farbtest, Die Rote Fahne II’
29 Shtator – 22 Tetor 2011
Hapja: 29 Shtator 2011, ora 19:00
Konferencë me Felix Gmelin, Albert Hetën, Vjollca Krasniqin, Nita Lucin, Catrin Lundqvist, Engjëllushë Morinën, Edi Mukën dhe Besnik Pulën
1 Tetor 2011, ora 10:00
'Baby (revolution) comeback' ka për qëllim të reflektojë mbi praktitkat e sotme dhe ngjarjet që çuan drejt asaj që e njohim si një vit të rëndësishëm dhe sfidues të lëvizjeve aktiviste në botë, si dhe mbi përdorimin e punëve të një artisti a të një vepre arti si pikënisje për t’i çuar tutje analizat.
‘Baby (revolution) comeback’, bazohet në rikrijimin e konferencës ‘Event1: Vetevendosja si Rezistencë’, (22/9/2007) me Agon Hamzën, Tina Finnas, Branimir Stojanovic, Glauk Konjufcën, Shkumbin Brestovcin, Dukagjin Goranin, Besnik Pulën, pjesë e projektit 'Politika dhe arti bashkëkohor', dhe e ekspozitës së Felix Gmelinit ‘Farbtest, Die Rote Fahne II’ (Testi i ngjyrës: Flamuri i kuq II), 2002.
‘Felix Gmelin’s Farbtest, Die Rote Fahne II, 2002, një video dy kanalëshe, prezanton dy shirita të shkurtër që në shikim të parë janë identikë. Po qe se shikohet me kujdes zbulohet se imazhet në të vërtetë nuk janë krejtësisht të njëjta, por shumë të ngjashme. Në secilën prej tyre, një vrapues mban një flamur të madh të kuq përgjatë rrugëve që duken të jenë rrugë të një qyteti të Evropës veriore, duke e transferuar atë (flamurin) te një pjesëmarrës tjetër në intervale të ndryshme kohore. Ndjenja e periudhës historike është shumë e mjegulluar: vrapuesit kanë të veshur veshje të ngjashme të errëta; edhe prej stilit të flokëve nuk mund të merret vesh shumë. Mbase numri i madh i Volkswagen-ave në të majtë të videos i jep me dije shikuesit se xhirimi është bërë në Gjermani.
Gert Conradt e bëri filmin në vitin 1968, në lidhje me një seminar të kamerës në Deutsche Film und Fernsehakademi, Berlin, të udhëhequr nga Michael Ballhaus, që punoi me R.W. Fassbinder dhe më vonë me Martin Scorsese. Babai i Gmelin-it ishte filmaxhi dhe teoricien me bindje radikale politike, dhe ngjarja të cilën e zuri Conrad-i në film u rikrijua prej disa studentëve të Gmelin-it dhe nga vetë Gmelin-i—ai paraqitet dy herë në film. Ai dokumenton një aksion “revolucionar” studentor; qëllimi i tij i fundëm u arrit me mbajtësin e fundit të flamurit që futet në ndërtesën e bashkisë së Berlinit—the Schöberger Rathaus, ku John F. Kennedy e kishte thënë fjalimin e famshëm (gramatikisht jokorrekt) “Ich bin ein Berliner”— dhe rishfaqet në balkon duke e valuar flamurin. Ndryshe prej çka është shkruar për Farbtest, Die Rote Fahne II, baba Gmelin nuk e kishte organizuar aksionin vetë; ai nuk qe ‘regjisori’ i tij, sikurse ishte i biri Gmelin, regjisor i ngjarjes së rikrijuar në Stockholm, duke përdorur studentët e vet të artit si pjesëmarrës në garën e flamurit të kuq. Ndryshe prej finales triumfuese – ose së paku dramatike të filmit të Conrad-it, mbajtësi i fundit i flamurit në rikrijimin e Gmelin-it futet në ndërtesën e bashkisë së Stockholm-it dhe nuk paraqitet i ngjitur në ballkon duke e valuar flamurin e kuq. Mundësitë për aksion revolucionar tashmë janë të mbyllura, ose së paku ambige a të pasigurta’. (‘Revolutionary Time Warp: Felix Gmelin’s Farbtest, Die Rote Fahne II’nga David Rimanelli)
'Baby (revolution) comeback' gjithashtu ka për qëllim të analizojë serialin e pambarrimtë kosovar rreth shanseve të humbura dhe ‘opsioneve civile’ në politikë.
Revolucioni në Kosovë tanimë është transmetuar në TV.
'Baby (revolution) comeback' si rikrijim paraqitet në kontekstin dhe vendin që s’ka praktikë të tillë në skenën artistike, një vend me kulturë të zbehur arkivore dhe me institucione publike në zhdukje e përsipër që do të mund të funksiononin si kujtesë e një shoqërie – ‘historibërja’ si mjet për shlyerjen dhe inxhinierimin e së kaluarës për aktorët e pushtetit të tanishëm është praktikë dominuese në këtë vend.
Viti 2011, e gjen Lëvizjën Vetëvendosje! si pjesë të Parlamentit të Kosovës, me 12 ulëse prej 100 + 20 ulëseve ose deri tash vonë, si grupin e tretë më madh parlamentar me 14 vende.
'Baby (revolution) comeback' është projekt i Albert Hetës dhe Vala Osmanit e prodhuar nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë, e implementuar në bashkëpunim me Moderna Museet, Stokholm.
'Baby (revolution) comeback' përkrahet prej: Institutit Suedez (SI), Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur, Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Galerisë së Arteve të Kosovës dhe DZG-së.