• Vladimir Miladinović: Drawing rectification
Vladimir Miladinović: Vizatimi i rektifikimit

Vladimir Miladinović: Vizatimi i rektifikimit

7 Prill 2016 – 7 Maj 2016
Hapja: 7 Prill 2016, ora 20:00

Kuruar nga Albert Heta
Arkitektura e ekspozitës nga Vala Osmani

Vendi:
Klubi i Boksit, Mark Isaku 2,
10000 Prishtinë, Republika e Kosovës

Orari i punës:
E Martë - e Premtë, 11:00 – 13:00 dhe 15:00 – 17:00

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë ka kënaqësinë të prezentoj ekspozitën “Vizatimi i rektifikimit” me vepra nga Vladimir Miladinović, kuruar nga Albert Heta.

Ekspozita është pjesë e programit vjetor të ekspozitave në Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë dhe bashkëpunimi i parë me Vladimir Miladinović.

“Vizatimi i rektifikimit” është i konstruktuar si një rrëfim me një fillim dhe një fund, i bazuar në imagjinatën artistike mbi ngjarje të vërteta, dokumentime reale arkivore dhe njerëz real. 

“Vizatimi i rektifikimit” me Vladimir Miladinović nuk ka të bëjë vetëm me veprimin dhe procesin e vizatimit me tush të elementeve që përbëjnë rektifikimin e projektuar, por gjithashtu ndoshta është edhe mënyra e vetme që një individ të reflektojë dhe të veprojë në mënyrë subversive për një proces kaq të komplikuar në një kontekst të tillë, të vizatuar në këto punime. Duke përdorur mënyra tradicionale të të shprehurit, një hapësirë gati të braktisur për angazhime politike, siç shihet vizatimi sot, vizatimi me tush në këtë rast është strategji për emancipim dhe rektifikim të kujtimeve të krimeve të luftës të një individi, një shoqërie, dhe një shteti. 

Punimet në fokus të ekspozitës janë pjesë e “Rendered History” nga Vladimir Miladinović, që filloi më 2012. Një nga veglat kryesore të projektit ishte të vizitohen arkivat e gazetave lokale në Serbi dhe të hulumtohet peroudha e luftës gjatë të 90-ave në ish-Jugosllavi. Miladinović pastaj filloi me hulumtimin e gazetave ditore serbe nga 1991 dhe 1992 dhe ballinave të gazetave lidhur me luftërat në Kroaci dhe në Bosnje e Hercegovinë. Pas zgjedhjes së artikujve, Miladinović punoi me dorë një seri të vizatimeve me tush të laviruar të faqeve të tëra të gazetave. Së pari ishin gazetat ditore serbe si Politika, Politika ekspres, Borba, Večernje novosti. Më vonë kjo punë vazhdoi kah shtypi nga regjioni, si Oslobodjenje nga Sarajeva dhe Kozarski Vjesnik nga Prijedori në BiH.

Seritë e vizatimeve gjithashtu përfshijnë analizën e arkivit të ICTY, International Criminal Tribunal for former Yugoslavia (Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë) në Hagë. Brenda projektit mund të identifikohen tipe të ndryshme të dokumenteve, listave, dhe artefakteve të tjera arkivore të lidhura me periudhën e luftës në ish-Jugosllavi. 

Çka po vizatohet dhe lahet në tush për tu (mos) lëvizur dhe për tu (mos) fshirë (më) dhe që të shfaqet në këtë ekspozitë? Çka dhe për kë? A janë të gjitha palët në një vend? Në realitet, pse (nuk) ka përpjekje për rektifikimin e kujtesës të një kombi dhe një shoqërie? 

Nëse sot secili flet për braktisjen e sistemit ndërkombëtar të korruptuar të drejtësisë, a duhet ne të cilët nuk kemi qasje as të drejtë në kujtesën e institucionalizuar për luftën, e gjithashtu as të drejtën për të kërkuar drejtësi për viktimat, ta braktisim edhe drejtësinë tranzicionale, gjithashtu të imponuar si hapësirë paralele e sistemit të kujtesës dhe pajtimit?

Vladimir Miladinović me punën e tij vë në pyetje se si mediat dhe institucionet në shoqëritë post-Jugosllave krijojnë hapësirën publike, duke formuar kështu kujtesën kolektive. Qëllimi është të punohet me artin si formë e sferës kundër-publike që vë në pyetje propagandën e luftës të mediave, manipulimin, përgjegjësinë historike dhe angazhimin intelektual.

Në kontekstin tonë, a mund të jemi krejt teknik kur shkruhet një tekst që ka parasysh këto punime. Dhe pastaj, edhe disa pyetje për tu bërë. A mund të shohim nocionin e rektifikimit vetëm si proces teknik? Ngjashëm por në kundërshtim me procesin zyrtar shtetëror të lëvizjes së kufomave nga një lokacion dhe një shtet në tjetrin? Të dy proceset duket të jënë të ekzekutuara ashtu që të korrigjojnë gabimin ose pastrimin e rrëfimit: Zepter, Karić, Večernje novosti, Gazda Jezda, Dafiment, Bosnja and Herzegovina, Batajnica. Këto elemente dhe disa të tjera nuk janë gjithmonë pjesë e rrëfimit të njejtë. 

Sot nëse kërkon në Google “Batajnica”, rezultati është: Batajnica (Cyrillic: Батајница, pronounced [bǎtaːjnitsa]) është një lagje urbane në Beograd, në kryeqytetin i Serbisë. Gjendet në komunën e Zemunit në Beograd. 
Në rreshtat në vijim, në një ose dy faqe gjenden shumë informata, mes tjerash mbi lokacionin dhe gjeografinë, historinë, popullatën, trafikun, hekurudhën, rrugët, transportin ajror, ekonominë dhe sportin, lagjet, 1. Maj, Naselje Ekonomije BR 1., Šangaj, Crveni Barjak.
Batajnica ndodhet në rajonin Syrmia, në pjesën veriore të komunës, afër kufirit administrativ me krahinën e Vojvodinës … Një lëvizje për rikrijimin e komunës së vjetër të Batajnicës ishte shumë aktive në vitin 2002, kur Surčin gjithashtu bëri fushatë (të suksesshme), por nuk ishte aq prezente në media publike… Në të kaluarën Batajnica gati që nuk ka pasur lidhje urbane me pjesën tjetër të qytetit. 

Batajnica është lokacioni i varrezave masive të Batajnicës. 

Popullsia
Batajnica kishte rritje konstante të popullsisë në shekullin 20. Një shtytje e veçantë e popullsisë së lagjes ndodhi në mesin e viteve 90 me një fluks të madh të refugjatëve nga Luftërat në Jugosllavi, veçanërisht aksioni ushtarak "Stuhia" që bëri që 250,000 serbë nga Kroacia të detyrohen të shkojnë në Serbi, ku shumica prej tyre u vendosën në periferi të Beogradit… Batajnica është një udhëkryq me rëndësi të madhe, dhe një bazë ajrore ushtarake është e vendosur në afërsi. Baza ajrore e Batajnicës, me trafik të kufizuar civil, u bombardua për ditë me rradhë më 1999 gjatë bombardimeve të NATOs në Serbi. Një nga pjesët që po rriten më shpejt në Batajnicë, përgjatë hekurudhës, e koncentruar përgjatë rrugës Šangajska (e emëruar sipas qytetit të Shanghait në Kinë). Crveni Barjak fillon afër hyrjes në Batajnica, ku ndodhet lidhja rrugore. Shtrihet kah jugu duke formuar lidhjen e ardhshme urbane mes Batajnicës dhe Zemun Polje. Termocentrali gjithashtu ndodhet në afërsi. Emri crveni bajrak nga serbishtja do të thotë “flamuri i kuq”.

Nëse klikon mbi “Batajnica mass graves” (varrezat masive të Batajnicës) në faqen e njejtë, rezultati është: Varrezat masive të Batajnicës llogariten të ketë rreth 700 deri 1000 viktima shqiptare të spastrimit etnik prej luftës në Kosovë. Varrezat masive gjenden në bazat e trajnimit të njësisë ushtarake Serbe, Njësia Speciale Anti-Terroriste (SAJ). Trupa të vdekur janë sjellë në këtë lokacion me kamionë nga Kosova, shumica të djegur para varrimit. Pas luftës, SAJ kufizoi qasjen e hetuesve në zonën e qitjes, dhe vazhdoi ushtrimet e qitjes derisa ekipe të forenzikës po hetonin mbi masakrën. Forcat serbe kryen vrasje masive në fshatrat etnike shqiptare në 1998 dhe 1999, duke varrosur shumicën e viktimave afër vendit të vrasjes. Por kur u bë e qartë se NATO do të intervenonte, qeveria e Millosheviqit urdhëroi që kufomat të zhvarrosen dhe të dërgohen diku tjetër në Serbi ose në Bosnjën që kontrollohej nga Serbia. 
Si në vrasjet e shqiptarëve të Kosovës, SAJ ishte e përfshirë edhe në “pastrimin”; trupa janë zhvendosur në varrezat masive në Serbi ashtu që të fshehin spastrimin etnik. 

Lufta në Kosovë, në Wikipedia, zyrtarisht përfundoi më 11 qershor, 1999.

Arkitektura e mureve ekspozuese të Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë janë zhvendosur nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtina dhe janë shumëzuar në Klubin e Boksit dhe po përdoren për ekspozitën ‘Vladimir Miladinović: Vizatimi i rektifikimit’.

Klubi i Boksit u pastrua pjesërisht dhe u hap për publikun më 2014 përmes "Action Boxing Club", një bashkëpunim i Elana Katz me Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë, bazuar në projektin hulumtues "Spaced Memory" të Elana Katz, që komenton dhe mendon për historinë e harruar hebreje në shtetet e Evropës Lindore. 

Vladimir Miladinović (1981) jeton dhe punon në Beograd. Diplomoi nga Fakulteti i Arteve të Aplikuara në Beograd. është i angazhuar me studimet e doktoraturës në fushën e Teorisë së Artit dhe Medias, në Universitetin e Arteve, Beograd. Ka pasur statusin si artistit individual që nga viti 2007. Miladinović ishte laureati i çmimit të 53-të të Salonit të Tetorit. Është anëtar i grupit punues "Katër Fytyrat e Omarskës" një grup i artit/ teorisë që vë në pyetje strategjitë përkujtimore të prodhimit, dhe është një bashkë-themeluesit të Iniciativës për Art Bashkëkohor dhe Teori. Në kuadër të punës së tij artistike interesat kryesore të Miladinović-it lidhen me politikën e kujtuar, manipulimin mediatik dhe krijimin dhe riinterpretimin e rrëfimeve historike. Që nga viti 2009, Miladinović ka qenë i përfshirë në hulumtime shkencore. Puna e tij ka qenë e ekspozuar gjerësisht në Serbi dhe nëpër Evropë.

"Vladimir Miladinović: Vizatimi i rektifikimit", kuruar nga Albert Heta, është pjesë e programit vjetor të ekspozitave të Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë, përkrahur nga: New Perspektiva dhe Balkan Trust for Democracy – BTD, National Endowment for Democracy – NED, Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur– KFOS, Komuna e Prishtinës, KNAUF, X-print dhe DZG.