BOOM-i i rinisë së Kosovës: 1982-1987
ne jemi bijtë e shekullit të ri”
Ndonëse veçmë i harruar, BOOM-i, një festë e përvitshme që u mbajt prej vitit 1982 deri në vitin 1987, ishte festivali më i madh i rock muzikës në Kosovë.
I inicuar nga Lidhja e Rinisë Socialiste të Kosovës (LRS) dhe i organizuar nga bende dhe artistë lokalë, BOOMi u bë platformë për të rinjtë e Kosovës për të shprehur kreativitetin e tyre artistik e identitetin e tyre rinor; hapësirë për tu takuar me artistë nga pjesët e tjera të Jugosllavisë dhe për të artikuluar një imazh të ri të kosovarëve.
Themelimi i BOOM-it nuk ndodhi në vakuum: Kosova e viteve të ‘70ta kishte përjetuar një ngritje relative të mirëqenies shoqërore, në veçanti pas njohjes së gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare dhe hapjes së Universitetit të Prishtinës. Në fillim të viteve të 80ta, përafërsisht 30,000 studentë banonin në Prishtinë gjë që e bënte kryeqytetin e krahinës autonome të Kosovës një qytet universitar me popullatë të re. Angazhimi, aktivizimi dhe argëtimi i kësaj popullate ishte preokupim serioz i autoriteteve komuniste lokale, sidomos pas demonstratave studentore të vitit 1981, të cilat u shtypën dhunshëm nga forca policore pas kërkesave të protestuesve për shpalljen e Kosovës republikë federative.
Përfaqësues të Lidhjes Socialiste të Kosovës dhe ata të LRS-së nëpër mbledhje dhe intervista për media preokupoheshin publikisht me nevojën për organizimin dhe edukimin ideologjik të rinisë së Kosovës “në frymën jugosllave.” Në gusht të vitit 1982, një muaj para se të organizohej BOOM-i i parë, gjatë mbledhjes së kryesisë së LRS, Sanije Hyseni, anëtare e kryesisë së LRS-së dhe inicuese e festivalit BOOM, kishte theksuar se “gjendja e tanishme shtron nevojën ...që [LRS] … t'i kushtojë kujdes të veçantë ngritjes ideopolitike dhe edukimit marksist në frymën e patriotizmit jugosllav.”
A ishte BOOM-i një kundërpërgjigje ndaj këtyre brengave? Është e vështirë për të gjetur një ndërlidhje direkte sepse përveç kësaj ishte një kombinim i rrethanave që e bëri të mundshme që të themelohej një festival i muzikës ‘perëndimore’ që nxori në pah një subkulturë rinore dhe e shtyu në ‘mainstream’ të shoqërisë kosovare.
BOOM-i erdhi pasi që Kosova kishte përjetuar një zhvillim relativ ekonomik dhe shoqëror, që kishte krijuar një klasë të mesme që mund të investonte në aktivitete rekreative - instrumente muzikore, pllaka e gramafona. Në anën tjetër, popullarizimi i muzikës rock përmes Radio Prishtinës (në veçanti Programit të Dytë) dhe hapja e saj ndaj ansambleve vokale-instrumentale (AVI) të reja për inçizime të këngëve; si dhe funksionalizimi i Pallatit të Rinisë që kishte Sallën Universale e cila mund t’i akomodonte deri në 10,000 njerëz - të gjithë ishin faktorë kontribues.
Por BOOM-i po ashtu lindi në një epokë politikisht të tensionuar: pas vdekjes së Josip Broz Titos, Jugosllavia u zhyt në një krizë të thellë politike dhe ekonomike, pasojat e të cilës përfundimisht shpërthyen në luftërat ballkanike të viteve të ‘90ta. Gjatë viteve të ‘80ta, përveç persekutimit të disidentëve dhe shtypjes së lirive bazike, shqiptarët e Kosovës përballeshein me një makineri propagandistike që i portretizonte kosovarët si të prapambetur dhe të egër (të dhunshëm dhe dhunues).
Me këtë sfond të komplikuar, rinia e Kosovës po mundohej të gjente një fjalor dhe zë për të definuar veten, për të krijuar një kulturë unikalisht të tyren dhe në një masë të madhe dhe për një kohë të shkurtër arriti të bënte këtë përmes muzikës rock dhe pop.
BOOM-i ishte mishërim i kësaj tentative.
BOOM-i i parë u mbajt me 3 shtator 1982, në Sallën Universale të pallatit “Boro e Ramizi”. Performuan rreth 20 bende lokale e rajonale: përveç bendeve të afirmuara si Ilirët (Prishtinë), Gjurmët (Prishtinë), Minatori (Prishtinë), Trix (Ferizaj), Tonik (Ferizaj) dhe TNT (Mitrovicë), BOOM-i i parë kishte qenë një showcase i bendeve më të vogla si Gezo (Pejë), Suvi Led (Obiliq), Eufonia (Gjilan), e Strujni Udar (Gjakovë) etj.; ndërsa performuesi kryesor ishte bendi jugosllav Galija nga Nishi.
Ne BOOM ‘82 morrën pjesë edhe bendi FAKS - i emëruar ironikisht në nder të detergjentit të rrobave - që sot njihet si rock bendi i parë turk në Kosovë.
Ndonëse ‘e bekuar’ nga partia dhe sponsorizuar nga ndërmarrje të ndryshme shoqërore, organizatorë të festivalit ishin vet muzicientët pjesëmarrës dhe plot të rinj e të reja. Përveç Sanije Hysenit, anëtarë e kryesisë së LRS-së, ishin frontmeni i bendit Ilirët, Shemsi Krasniqi, dhe vokalisti i bendit Minatori, Naser Gjinovci ata që organizuan festivalin për vite me radhë në mënyrë vullnetare. Përveç tyre, të gjitha bendet pjesëmarrëse ishin në një mënyrë ose tjetër të involvuara në mbarëvajtjen e festivalit. Muaj para BOOM-it, plot të reja dhe te rinjë (duke i përfshirë këtu vet anëtarët e bendeve) fillonin punën rreth organizimit të festivalit krejtësisht në baza vullnetare. Ata shpërndanin posterat nëpër kafene dhe anë e mbanë qyteteve, merreshin me shitjen e biletave, huazonin dhe siguronin instrumente të ndryshme etj. Florina Jerliu, anëtare e bendit Tempujt e Heshtjes i cili kishin marrë pjesë në BOOM ‘87, kujton se kur këto kishin vendosur të këndonin “live” të gjithë muzicientët me instrumente ishin “mobilizuar” për t’i ndihmuar.
Pos mbështetjes dhe promovimit të muzikës rock dhe pop, BOOM-i arriti të krijonte një komunitet. Me këtë u krijua edhe një entuziazëm i rinisë rreth BOOM-ave, sipas Naser Gjinovcit, dhjetëra mijëra të rinjë pritnin me padurim çdo vit datën kur do të mbahej festivali.
“Barometri kryesor [i BOOM-it] është se kemi kriju një strukturë, një rini urbane, që ka komuniku me rokenrollin, edhe rokenrolli ka komuniku me ta...dhe që deri atëherë, nuk ka ekzistu,” shpjegon Gjinovci.
Deniza Begolli, solo këngëtare nga Peja që kishte performuar bashkë me Seleksionin 039 dhe vet në BOOM’86 dhe BOOM‘87, mban mend që BOOM-i kishte qenë ngjarje qendrore kulturore. “Ka qenë shumë [organizim] tradicional dhe ka qenë ngjarje shumë e madhe, njerëzit u përgatitshin, menxi u pritke BOOM-i si festival,” tregon Begolli, e cila ishte ende në shkollë të mesme kur kishte marrë pjesë për herë të parë.
Në fillim, BOOM ishte një ngjarje multi-etnike: skena e festivalit ishte nikoqire e një numri të konsiderueshëm te bendeve serbe, po edhe të bendeve të etnive tjera dhe ato etnikisht të përziera. Bende si TNT nga, në atë kohë, Mitrovica e Titos, ishte e përbërë nga një grup shokësh shqiptarë, serb dhe boshnjak.
Për Lidhjen Socialiste ishte e rëndësishme aspekti multi-etnik, apo me fjalë tjera fryma jugosllave e evenimentit. Fatmir Bujupi korrespondent i Zërit të Rinisë dhe bashkë-organizator i mëvonshëm i festivalit, kujton, “Ne duhej të fusnim si pjesëmarës edhe ndonje muzicient/band sërb që t'i bahej qefi autoriteteve partiake çdoherë në frymën e ‘vllaznim-bashkimit’ dhe ‘bashkëjetesës ndëretnike.’’’
Por me kalimin e viteve dhe përkeqësimit të situatës politike në vend, organizimi i BOOM-it pasqyronte edhe këto tensione. Në vitin 1987, siç shkruan Migjen Kelmendi në “Gjurmët LP,” bendi heavy metal LED nga Fushë Kosova nuk ishin ftuar në BOOM pasi që kishin huazuar pajisjet e tyre për mitingun famëkeq të Sllobodan Millosheviqit në prill të atij viti.
Megjithatë, ‘bashkëjetesa ndëretnike’ brenda skenës së rockut nuk ishte tërësisht artificiale: edhe para BOOM, muzika rock ishte emërues i përbashkët i rinisë jugosllave, ndërsa edhe rinia shqip-folëse dëgjontë muzikë në serbo-kroatisht që krijohej në qendrat e mëdha jugosllave.
Për më tepër, ndonëse të pakët, disa shqiptarë si këngëtarja Zana Nimani, frontmene e bendit jugosllav pop-rock Zana, dhe Shefqet Hoxha, basist i bendit Vatreni Poljubac (Puthja e Zjarrtë), kishin arritur të penetronin në skenën jugosllave (megjithatë, vetëm duke performuar në gjuhën serbe-kroate).
Përveç nevojës për të performuar unitetin jugosllav, BOOM-i shërbeu edhe si platformë që në mënyrë simbolike i barazonte bendet shqiptare - dhe si rezultat vet shqiptarët - me bendet nga vendet tjera jugosllave. Një prej preokupimeve të theksuara që vërehet edhe nga mbulimi medial (krahasimi i kualitetit të bendeve lokale me ato mysafire), po edhe nga intervistat me vet pjesëmarrësit, është nevoja për të dëshmuar bashkëkohësinë e artistëve shqiptarë më ata jugosllavë dhe si rrjedhojë, bashkëkohësinë e kosovarëve me popujt tjerë jugosllavë.
Hektor Gjurgjeali dhe Fatmir Zajmi, kujtojnë se kur bendi 403 kishin shkuar në një festival jugosllav në Opati si përfaqësues të Kosovës, muzicientët tjerë nga bendet jugosllave kishin qeshur kur i kishin thënë se këta ishin nga Kosova - s’iu kishin besuar duke menduar se po bënin shaka. Gjurgjeali dhe Zajmi nuk ishin reprezentativ për stereotipet që ekzistonin për shqiptarët në Jugosllavi. Megjithatë që të dy insistonin që në atë kohë s’kishte më dallime të tilla, ata ndanin të njëjtën kulturë dhe ishin pjesë e trendeve jo vetëm jugosllave, po botërore. “Ato kangë që i kanë ndigju ata, i kena ndigju edhe na...na ishim në nivel absolutisht të njejtë me ta, mos me disa edhe ma naltë,” thotë Gjurgjeali buzagaz.
Lura Limani, Rina Krasniqi
Ky shkrim është pjesë e një projekti më të gjërë hulumtues për festivalin BOOM (1982-1987) i cili është në vazhdim e sipër.
Projekti “BOOM zine” financohet nga projekti ‘Changing the Story’ përmes një granti Global Challenges nga Këshilli Mbretërisë së Bashkuar për Hulumtime në Arte dhe Humanitete. Ky projekt po ashtu financohet nga programi Culture for Change i financuar nga Bashkimi Europian, menaxhuar nga zyra e Bashkimit Europian në Kosovë dhe implementuar nga Qendra Multimedia dhe Goethe Institut.