• Kështu edhe ne mbaruam. Çka?
Kështu edhe ne mbaruam. Çka?
Kështu edhe ne mbaruam.
Çka?

26/06 – 26/07/2019
Hapja: 26/06/2019, ora 20:00
Orari i vizitave: E martë - E premte, 16:00 - 18:00

Kuratorët: Vala Osmani, Albert Heta
Hulumtuesit: Rina Krasniqi, Lura Limani, Bardhi Haliti, Vala Osmani, Albert Heta, Brilant Pireva

Adresa:
Klubi i Boksit, Mark Isaku 8
10000 Prishtinë, Republika e Kosovës

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë ka kënaqësinë të paraqet ekspozitën “Kështu edhe ne mbaruam. Çka?”, punë kuratoriale nga Vala Osmani dhe Albert Heta.

Ekspozita “Kështu edhe ne mbaruam. Çka?” përqëndrohet në hulumtimin e një hulumtimi, dhe punën kuratoriale të ekipit të Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë, ndërtuar mbi një pjesë të dokumentacionit të një projekti më të gjërë hulumtues për festivalin BOOM (1982-1987), i cili është në vazhdim e sipër, dhe udhëhiqet nga Rina Krasniqi, Lura Limani dhe Bardhi Haliti.

Ekspozita shfaqë gjetjet e fazës së parë të një hulumtimi, dhe zhvillimin e hulumtimit nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë, në drejtimet dhe gjetjet e koncentruara të materializuara me dokumentacion të kufizuar arkivor, materiale filmike dhe ekspozimin e fjalës së kënduar dhe të shkruar, që kanë për synim ndërtimin e një konteksti specific historik të këtyre zhvillimeve shoqërore, artistike, kulturore dhe politike.

“Kështu edhe ne mbaruam. Çka?” huazon titulin nga vargjet e “Kajranfilit”, këngës më të popullarizuar të grupit BANKROTT (Teksti dhe melodia: Leka; Aranzhmani: Bankrott; Solo kitare: Agroni; Bas kitare: Valboni; Ritëm kitar dhe vokal: Leka; Daullet: Fatosi, Violonçelo: Antonio; Back vokal: Ardita). BANKROTT ishte formuar në vitin 1983.

Për disa që ende e kujtojnë Kosovën në atë kohe, BANKROTT tingëllon si BANKKOS apo Banka e Bashkuar e Kosovës, ndërrmarje shoqërore dhe institucion qëndror bankar i Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, për të cilin sot mund të gjinden shënime vetëm në web faqet e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, institucionit bashkëpunues ndërkmbëtar- vendor që pas çlirimit të Kosovës në vitin 1999, ka adminsitruar BANKROTT-in dhe privatizmin shëmbullor të Ekonomisë së Kosovës. Në vitin 1983, Radio Televizioni i Prishtinës – RTP kishte tematizuar BANKROTT-in si emër të grupit. Radio Prishtina e themeluar në vitin 1945, dhe më vonë Radio Televizioni i Prishtinës i themeluar në vitin 1974, që nga themelimi në masë të madhe administronte zhvillimet e skenës muzikore në Kosovë, me kapacitetin për të administruar studiot e incizimit, produksionin muzikor dhe transmetimin e përmbajtjes në Kosovë. Kontrolli i përmbajtjes në vitin 1985 bëhej nga kontrolluesi i teksteve. Grupet muzikore apo Ansamblet Vokalo-instrumentale – AVI detyroheshin te dorezonin paraprakisht tekstin e këngës i cili tekst do të kontrollohej para se të shkonte në incizim në RTP.

Është me rëndësi të theksohet që kontrolli edhe ideologjik edhe artistik, edhe pse i instaluar si mekanizëm zyrtar cenzure, ishte i kufizuar (në organizim dhe kapacitet) edhe ushtrohej si i kufizuar edhe në mjetet e produksionit dhe komunikimit zyrtar masiv.

Edhe në këto rrethana, me rëndësi për këtë ekspozitë dhe këtë hulumtim, është të theksohet që në Kosovë, hapësira e krijuar dhe e mirëmbajtur për të shpërndarë përmbajtje emancipuese dhe disidente, asnjëhere nuk ka mundur të kontrollohet në plotni.

Për të demonstruar: Sipas përshkrimit për grupin BANKROTT që mund të gjindet edhe online “Ne fillim grupi kalon nje kohë në kërkimin dhe hulumtimin e formave të mundshme të shprehjes. Të frymëzuar nga rrymat muzikore Punk dhe New Wave (Vala e re) në vitin 1985 BANKROTT sjell kangën e parë të tyre “Në WC jemi ne”.

“Në WC jemi ne” pasi kishte kaluar nëpër cenzurën zyrtare të mekanzimit të kontrolluesit të teksteve të përmbajtjes artistike, kishte mbaruar në “Në CC jemi ne”.

Me kete titull lejohet incizimi i kangës në studion e Radio Prishtines në vitin 1985. Në ndërkohë, në koncerte të organizuara në hapësira publike këndohet kanga në original “Në WC jemi ne”.

Në klipin zyrtar të kangës, të incizuar në studio e RTP-së, “me nje vokal recitues gati se komandues” në të cilin frontmeni i grupit në vend të mikrofonit mban para goje një makinë elektrike të rrojës dhe këndon në të. Edhe pse në shiqim të parë duket si një akt DADA, në të vertetë simbolika e këtij akti ishti shumë direkte - me këndu “pa kime n´goj”.

Në bisedat me disa nga aktorët e asaj kohe, festivali BOOM, që njihet si festivali i parë i rok – muzikës në Kosovë, një hapësirë e lirë bashkëpunuese, hapësirë që ka krijuar një skenë të vogël të “rok-muzikës” në të cilën solidariteti shoqëror mbizotronte, dhe në të cilën mund të këndohej edhe “pa kime n´goj”.

Kjo hapësirë e lirisë në Kosovë ishte ba sërish e vogël pas demostratave të vitit 1981, që në kontekstin e vitit 2019 njihen edhe si “pranvera shqiptare”, ndërsa në rrethanat dhe diskurisin zyrtar politik të vitit 1981 të krerëve ideologjik të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës ato shiheshin si “të orientuara në rradhe të parë kundër popullit (të Kosovës)” (Rilindja, 4 prill 1981, Hoxha). Këto zhvillime që kishin shpërfaqur edhe paaftësinë e vetadministrimit dhe mbrojtjes të pavarësisë administrative të Kosovës pas vdekjes së Titos, që kishin sjellur de-subjektivizimin dhe ndrrimin e dhunshëm të një pjese të nomenklaturës politike të Kosovës, kishin kufizuar lirinë e qytetarëvë, dhe kishin instaluar gjendjen e jashtëzakonshme me orë policore të zbatuar në disa komuna të Kosovës.

Vetëm dy vjet më heret, me 25 maj 1979 Josip Broz Tito (1892 - 1980) për herë të fundit mori pjesë në festimin e Ditës së Rinisë, ndërsa Shtafetën e Rinisë atij ja dorëzoj Sanije Hyseni, një studente e Universitetit të Prishtinës, duke iu drejtuar Titos dhe gjithë Jugosllavisë në gjuhën shqipe dhe gjuhën sërbo-kroate. Natyrisht, ngjarja transmetohej nga të gjitha televizionet dhe radiostacionet në Jugosllavi.

Në vitin 1982, një vit pas demostratave të vitit 1981, përfaqësues të Lidhjes Socialiste të Kosovës dhe ata të LRS-së nëpër mbledhje dhe intervista për media “preokupoheshin publikisht me nevojën për organizimin dhe edukimin ideologjik të rinisë së Kosovës” (Limani, Krasniqi: 2019). Në gusht të vitit 1982, një muaj para se të organizohej BOOM-i i parë, gjatë mbledhjes së kryesisë së LRS, Sanije Hyseni, identifikohet si anëtare e kryesisë së LRS-së dhe inicuese e festivalit BOOM.

Në shkrimet e kohës thuhet që “në Kosovë funkcijonojnë rreth njëzet grupe e AVI të këtilla që kultivojnë këtë lloj muzike. Konferenca Krahinore e LRS-së (Lidhjes së Rinisë Socialiste) të Kosovës në marrëveshje me këto grupe para disa ditësh inicoi dhe e pa të udhës që të organizohet një festival sado modern, këtu në Prishtinë, ku grupet dhe AVI-të gjegjëse do të prezentonin punën e tyre. Kështu, pas punës organizative e programore dhe ndihmën materiale që dhanë OPGBP “Rilindja” dhe OPB ‘Novo-Bërda-Kishnicë”, sot në pllatonë e Pallatit të rinisë >>Boro e Ramizi<< në orën 17, do të fillon ky festival i quajtur “Boom 82” në të cilën do të prezentohen 15 AVI të Krahinës sonë dhe dy të tjera, njëra nga Dibra e tjetra nga Beogradi. Festivali është njëditor dhe zgjat nga ora 17 deri në orën 23. (Rilindja: 1982)

BOOM 82: Rock Blues Band (Prishtinë), Rock Massa (Prishtinë), Eleonida (Prizren), Grupa (Beograd), Fontana (Kaçanik), FAKS (Prishtina), TNT (Mitrovica e Titos), Gjurmët (Prishtinë),Ilirët (Prishtinë),Trix (Ferizaj),Enigma (Dibër), AIDA (Prizren), Minatori (Prishtinë),Tonik (Ferizaj), LED (Kos. Polje), Albatros (Pejë), Fisnikët (Prishtinë), Strujni Udar (Kos. Polje), Eufonia (Gjilan).

Në vitin 1983, Bijelo Dugme këndon shqip “Rroka mandolinën. Bjeri bjeri bjeri çifteliës. Të gjithë do t'këndojmë kënga le t'jehojë. Kënga le t'jehojë - Çdo gje mund të jetë Roken-roll”. Bijelo Dugme ishte rok-grupi ma me ndikim në Jugosllavi. Bjelo Dugme në të njëjtin vit vizitoj Kosovën dhe mbajti koncertin në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.
Kosovska pati ndikim në Jugosllavi dhe në Kosovë, dhe mbetet kënga e vetme në gjuhën shqipe e një rok-grupi me ndikim jo shqiptar në Jugosllavi.

Përceptimi dominues shoqëror dhe politik në Jugosllavi ishtë që shqiptarët dhe gjuha shqipe janë të huaja për Jugosllavinë, i panjohuri dhe tjetri.

Zëvëndësimi i një shkronje, apo “Në CC jemi ne” shënjon simbolikisht hapësirën e zvogëluar për liri dhe pavarësi artistike dhe pavarësi intelektuale në Krahinën Socialiste Autonome të Kosovës të viteve 1985-1987, mungesën e guximit, përgjegjesisë dhe emancipimit politik të nomenklaturës intelektuale dhe politike, para shpërthimit të madh shoqëror dhe luftës në Kosovë (1990-1999), që pasoi zhbërjen kundërkushtetuese të subjektivitetit federativ dhe autonomisë të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës në vitin 1989.

Edicioni i fundit i festivalit BOOM në Kosovë u mbajt në vitin 1987, në të cilin u shfaqën me punën e tyre: Minatori, Lindja, Rona, Menkis, Sebastjan, Seleksioni 039, Gjurmët, Deniza, Tempujt e Heshtjes, Totalni Promasaj, Silber, Babilon, Fillimi i Fundit, Fisnikët, Trix, Aida Baraku, TNT, Piloti (Beograd), Zabranjeno Pusenje (Sarajevë).

Në vitin 1987, grupi LED (Kos. Polje) nga Fushë Kosova (pjesëmarrës në të gjitha edicionet për të cilat hulumtimi ka gjetur dokumentacion) nuk ishin ftuar në BOOM që ishte organizuar në muajin 14 dhjetor të vitit 1987. Me 24 prill të vitit 1987, në Fushë Kosovë mbahet takimi dhe fjalimi i Sllobodan Milošević si Kryetar i Kryesisë së Lidhjes së Komunistëve të Serbisë, para qytetarëve serb të të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës. Kjo ngjarje, në të cilën kishte marrë pjesë edhe Azem Vllasi, Kryetar i Kryesisë së Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, ishte përmendur si kthesë në bisedat me anetarët e grupeve që kishin marrë pjesë në BOOM, dhe ka shënuar kohën e re në Kosovë, apo ngjarjen fillestare mediatike të përmasave jugosllave dhe shkallës së re të eskalimit të konfliktit në mes të Serbisë dhe Kosovës.

“Kohërat po ndryshonin, dëshira për të kënduar në kohëra të zymta, po shuhej. Hapësira e lirë po zvogëlohej edhe më shumë. Me kangën “Hera e fundit” grupi BANKROTT përshëndetet prej publikut (1988) në një koncert në Pallatin e Rinise dhe me këtë, grupi përfundon egzistimin e tij.

Për hulumtimin dhe ekspozitën ështe me rëndësi të theksohet që BOOM Festival është mbajtur si festival i rokut nëpër Jugosllavi gjatë viteve të 1970-ta, por në atë kohë nuk ishte stacionuar në Kosovë. Festivali u mbajt për herë të parë në Lublanë (Slloveni) në vitin 1972 dhe për herë të fundit në Novi Sad (Vojvodinë) në vitin 1978.

“Kështu edhe ne mbaruam. Çka?” është konceptualizuar si një hapësirë diskutimi dhe ekspozitë ushtrim që funksionalizon bashkëpunimin me hulumtues dhe shfaqë gjetjet e hulumtimit në një ekspozitë, format ky i përshtatur i komunikimit të hulumtimit në relacion me publikun i pranishëm kohëve të fundit në punën e hulumtuesve të institucioneve të zhvilluara hulumtuese, që inkurajojnë dhe mbështësin punën hulumtuese, por (nuk) njohin dijen dhe punën profesionale artistike dhe kuratoriale, në raport me potencialin shoqëror të ekspozitave të artit.

Këto lëvizje, në raport me historinë e zhvillimit të ekspozitave, edhe një herë sjellin vëmëndjen te de-profesonalizmi i nocioneve artist, hulumtues, ekspozitë dhe kurator, i pranishëm kohëvë të fundit edhe në Kosovë, që mund të ketë ndikim në “demokratizimin’ e fushës, por edhe në zhvleftësimin jo vetëm të sistemi arsimor dhe dijes, por dhe të punës profesionale të artistëve, hulumtuesëve, kuratorëve dhe potencialin e investuar shoqëror të ekspozitave. Kuratori francez Nicolas Bourriaud i përkufizon hapësirat e ekspozitave si hapësira relacionale “në një ekspozitë, çdo herë ekziston mundësia e diskutimit të mënjëhershëm në të dy kuptimet, edhe kur format e ekspozuara janë inerte: unë shoh, komentoj dhe lëvizi përreth në një hapesirë-kohë. Arti është vendndodhje që prodhon socializibitet specifik ” (2002, 14, 16).

Ekspozita “Kështu edhe ne mbaruam. Çka?” sjellë edhe një herë vëmendjen të materiali i munguar dhe keq i administruar arkivor nga institucionet publike në Kosovë, dhe hulumtimet e munguara, që kanë ndikim edhe në pasqyrimin për ngjarje e zhvillimet të rëndësishme historike, shoqërore dhe politike.

“Në WC jemi ne” (1985) duket domethënëse edhe për rrethanat aktuale dhe zhvillimet shoqërore në Kosovë në vitin 2019.

Ky ushtrim është gjithashtu rezultat i kufizimeve, zhvillimeve, parimeve dhe aspiratave të institucioneve të pavarura të artit dhe bartësve akademik në rolin e aktorëvë dhe fuqisë, që i gjasojnë mekanizmave të fuqisë që dikur kanë kufizuar shprehjen e lirë artistike në Kosovë.

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë falenderon për bashkëpunimin Lura Limanin, Rina Krasniqin, Bardhi Halitin, Lekën, Adnanin, Ljubiša dhe Arkivin e RTK-së.

Ekspozita “Kështu edhe ne mbaruam. Çka?” është mbështëtur nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë, Arkivi i Radio Televizionit të Kosovës – RTK, 'Kosovo-Strand' AHRC (Global Challenges) project 'Changing the Story', Komuna e Prishtinës, DZG dhe x-print.